Në deklaratën nga Universiteti i Oxford-it thuhet se këtë muaj do fillojnë provat klinike tek 300 vullnetarë për të vlerësuar nëse vaksina do të japë apo jo përgjigje të fortë imune
Vaksina kundër koronavirusit të ri (COVID-19) e zhvilluar nga Universiteti i Oxford-it dhe kompania farmaceutike AstraZeneca për herë të parë do të testohet tek fëmijët në Britani të Madhe.
Në deklaratën nga Universiteti i Oxford-it thuhet se këtë muaj do fillojnë provat klinike tek 300 vullnetarë për të vlerësuar nëse vaksina kundër COVID-19 do të japë apo jo përgjigje të fortë imune tek personat të moshës 6-17 vjeç.
Punimet klinike që do të zhvillohen për herë të parë mbi fëmijët, do të vazhdojnë në qendrat e Universitetit të Oxford-it në Londër dhe në qytetet Southampton dhe Bristol.
Në deklaratën ku janë përmendur edhe vlerësimet e Andrew Pollard, kryehulumtuesit të Grupit për Punimet e Vaksinës në Universitetin e Oxford-it, theksohet se shumica e fëmijëve nuk preken nga COVID-19 por se është e rëndësishme që tek fëmijët dhe adoleshentët të formohet përgjigje imune për vaksinat.
Pollard tha se provat e reja do të zgjerojnë kuptimin e kontrollit të virusit COVID-19 tek grupmoshat më të reja.
Agjencia Rregullative e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore (MHRA) më 30 dhjetor tha se është e sigurt vaksina kundër COVID-19 e zhvilluar nga Universiteti i Oxford-it dhe kompania farmaceutike AstraZeneca. Më pas u miratua përdorimi ndërsa aplikimi i vaksinës filloi më 4 janar.
Komiteti i Vaksinimit dhe Imunizimit të Britanisë në listën e publikuar më parë në “përparësitë në vaksinim” kishte rekomanduar që vaksina të mos aplikohej tek personat nën moshën 16-vjeç.