Qeveria e Britanisë ka aprovuar të martën (20.01.2026) planin e Kinës për ta ndërtuar në Londër ambasadën më të madhe në Europë, duke shpresuar t’i përmirësojë raportet me Pekinin pavarësisht paralajmërimeve të politikanëve britanikë dhe amerikanë se përfaqësia diplomatike mund të përdoret si bazë për spiunazh, ka raportuar Reuters.
Planet e Kinës për ndërtimin e ambasadës së re në vendin e Royal Mint Courtit dyshekullor pranë Kështjellës së Londrës kishin ngecur qe tre vjet për shkak të kundërshtimit nga banorët vendas, ligjvënësit dhe aktivistët pro-demokracisë në Hong-Kong në Britani.
Vendimi u mor para vizitës këtë muaj që kryeministri Keir Starmer do ta bëjë në Kinë, e para nga një lider britanik që nga viti 2018. Disa zyrtarë britanikë dhe kinezë kanë thënë se udhëtimi varej nga miratimi i ambasadës.
Qeveria ka njoftuar pas vendimit se agjencitë e inteligjencës ishin përfshirë gjatë gjithë procesit të miratimit dhe se hartuan një sërë masash mbrojtëse sigurie.
“Siguria kombëtare është detyra jonë e parë”, ka thënë zëdhënës i qeverisë në një deklaratë.
Qeveria kineze bleu Royal Mint Courtin më 2018, por kërkesat e saj për leje planifikimi për ndërtimin e një ambasadë të re në vend u refuzuan nga këshilli lokal më 2022. Presidenti kinez, Xi Jinping, i kërkoi vjet Starmerit që të ndërhynte.
Qeveria e mori vjet kontrollin e vendimit të planifikimit dhe një hetim u zhvillua shkurtin e kaluar duke dëgjuar argumentet nëse ambasada duhet të miratohet.
Disa politikanë në Britani dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Kinës duhet t’i ndalohet të ndërtojë në vendin pranë lagjes historike financiare të Londrës, sepse kjo mund t’i mundësojë Pekinit të përgjojë kabllot me fibra optike që përdoren nga firmat financiare dhe që shtrihen nën zonë.
Partia Konservatore opozitare e ka quajtur vendimin “akt të turpshëm qyqarllëku”.
Ambasada kineze në Londër nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.
Zyrtarët britanikë të sigurisë kishin paralajmëruar se lejimi i Kinës që të ndërtojë një ambasadë shumë më të madhe do të thoshte më shumë spiunë kinezë në Britani, si dhe më shumë diplomatë- një pohim i hedhur poshtë nga ambasada kineze në Londër.
Shefi i agjencisë britanike të spiunazhit të brendshëm MI5 ka deklaruar në tetor se agjencia e tij e spiunazhit ka më shumë se një shekull përvojë në trajtimin e ambasadave të huaja, duke sugjeruar se mund të menaxhohej çdo rrezik sigurie.
Por MI5 ka paralajmëruar gjithashtu për kërcënimin që vjen nga përpjekjet e Kinës për rekrutimin dhe afrimin e njerëzve me qasje në qeverinë britanike.
Agjencia ka nxjerrë një paralajmërim për ligjvënësit në nëntor lidhur me përpjekjen e Pekinit për ndërhyrje në politikën britanike, dhe dështimi i procesit gjyqësor ndaj dy burrave britanikë të akuzuar për spiunazh ndaj anëtarëve të parlamentit për Kinën nxiti kritika se qeveria po u jepte përparësi marrëdhënieve më të mira në kurriz të sigurisë kombëtare.
Qeveria ka miratuar ambasadën e re – pas vitesh presioni diplomatik nga Kina – ndërsa Starmer përpiqet të rivendosë marrëdhëniet me Pekinin, që është një nga prioritetet e tij të politikës së jashtme.
Britania në dekadën e fundit ka kaluar nga qëndrimi se donte të ishte mbështetësja më e madhe e Kinës në Europë në të qenit një nga kritikët e saj më të ashpër, dhe tani po përpiqet të përmirësojë përsëri marrëdhëniet. Starmer ka thënë gjatë muajit të kaluar se janë interes kombëtar lidhjet më të ngushta të biznesit.

