Britania e Madhe dhe BE vendosën sot t’i përshpejtojnë diskutimet këtë verë, me synimin për të arritur një marrëveshje në fund të tetorit.
Pas një javë tjetër bisedimesh për marrëdhëniet e tyre post Brexit, BE dhe BM akoma besojnë se është e mundur të shmanget një “no deal”.
“Nuk ka patur ndonjë përparim të rëndësishëm këtë javë dhe ne nuk mund të vazhdojmë kështu përgjithmonë”, tha kryenegociatori europian, Michel Barnier, në një konferencë për shtyp, pas katër ditësh bisedime.
“Por nuk kam dyshim se do të gjejmë terren të përbashkët gjatë verës, më e shumta në fillim të vjeshtës”, shtoi ai.
Ai paralajmëroi se një marrëveshje është e nevojshme deri më 31 tetor, në mënyrë që të mund të ratifikohet nga shtetet anëtare përpara fundit të vitit.