Muzeu ALondon ka rënë dakord t’i kthejë qeverisë nigeriane 72 objekte të grabitura nga Benini në vitin 1897.
Muzeu dhe kopshtet Horniman, të vendosura në jug të Londrës, njoftuan transferimin në një njoftim për shtyp. Të gjitha objektet u morën nga Mbretëria e Beninit, në atë që tani është kryeqyteti i shtetit Edo në Nigerinë jugore, gjatë një operacioni ushtarak britanik në shkurt të vitit 1897, tha muzeu.
Artefaktet përfshijnë 12 pllaka bronzi që janë pjesë e një zhanri të njohur si “bronzet e Beninit”. Këto skulptura bronzi u krijuan të paktën në shekullin e 16-të për të dekoruar oborrin mbretëror në Benin, sipas Muzeut Britanik.
Në 1897, forcat britanike nisën një pushtim ushtarak “të përgjakshëm dhe shkatërrues” të Mbretërisë së Beninit dhe mijëra vepra arti u vodhën dhe u dërguan në Mbretërinë e Bashkuar si “plaçkë lufte”, tha muzeu.
Koleksioni i Beninit të Horniman përfshin edhe objekte të tjera prej tunxhi të grabitur gjatë pushtimit, si pjesë altari, kambanat dhe shporta. Vendimi vjen si një fitore për Nigerinë dhe vendet e tjera afrikane që kanë luftuar për të rikuperuar artefaktet kulturore të sekuestruara gjatë pushtimit ushtarak dhe të mbajtura në muze, kryesisht në Evropë, por edhe në Shtetet e Bashkuara dhe Australi.