Thirrje për armatim të Ballkanit Perëndimor dhe të gjitha shteteve që janë të kërcënuara nga Rusia, ka bërë Sekretarja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Liz Truss.
Në një adresim të mërkurën në mbrëmje, Truss është treguar e ashpër duke thënë se forcat ruse duhet të “dëbohen nga Ukraina” dhe se fitorja në Ukrainë është “imperativ strategjik” për Perëndimin.
“Bota është dashur të bënte më shumë për të parandaluar pushtimin dhe ne kurrë më s’do ta bëjmë gabimin e njëjtë. Disa thonë se nuk duhet të furnizonim me armatim për shkak të frikës së provokimit për edhe më keq. Por në pikëpamjen time, mosveprimi do të ishte provokim më i madh. Është koha për guxim, jo maturi.
Duhet të sigurohemi se krahas Ukrainës, Ballkani Perëndimor dhe shtetet si Moldavia e Gjeorgjia të kenë qëndrueshmëri dhe kapacitete për të ruajtur sovranitetin dhe lirinë e tyre. Politika e derës së hapur të NATO-s është e shenjtë. Nëse Finlanda dhe Suedia zgjedhin të bashkohen si përgjigje ndaj agresionit rus, ne duhet t’i pranojmë sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë ajo.
Deklarata ka qenë më e qarta deri tash e Britanisë për luftën në Ukrainë. Truss ka bërë thirrje që Perëndimi duhet të dyfishojë përkrahjen për Ukrainën.