Britania e Madhe synon të forcojë industrinë e armatimeve dhe të rrisë prodhimin e municioneve, hap që lidhet me konfliktin ruso-ukrainas.
Britania planifikon të ndërtojë të paktën gjashtë fabrika të reja për prodhimin e armëve dhe lëndëve eksplozive. Ministria e Mbrojtjes njoftoi se qeveria synon të investojë 1.5 miliardë paund (rreth 1.8 miliardë euro).
Përveç kësaj, Ushtria do të blejë deri në 7000 armë me rreze të gjatë veprimi të prodhuara në Britaninë e Madhe.
“Konflikti ruso-ukrainas ka treguar në një mënyrë të ashpër se një ushtri është aq e fortë sa industria që qëndron pas saj”,- deklaroi ministri britanik i Mbrojtjes, John Healey.
Në një intervistë televizive ai tha se në një botë kërcënimesh në rritje, strategjia e re e mbrojtjes parashikon një rritje të prodhimit britanik të armëve dhe synon të krijojë një kapacitet prodhimi municionesh që është gjithmonë i disponueshëm.
Ndërsa kryeministri britanik, Keir Starmer, deklaroi se strategjia e re e mbrojtjes synon ta bëjë vendin të gatshëm për luftë.
“Ne do ta ribëjmë gatishmërinë për luftë të Britanisë qëllimin kryesor të Forcave të Armatosura. Për shkak të tensioneve në rritje në të gjithë botën strategjia e re duhet të shërbejë si një plan për forcën dhe sigurinë në dekadat e ardhshme”,- tha Starmer.
Kryeministri britanik kishte njoftuar për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes që përpara vizitës së tij në SHBA në shkurt, ku u takua me presidentin amerikan, Donald Trump. Deri në vitin 2027 shpenzimet pritet të rriten në masën 2.5 për qind të produktit të brendshëm bruto. Deri tani ato janë rreth 2.3 për qind. Në vitin financiar 2023/24 u investuan 53.9 miliardë paund (rreth 63.9 miliardë euro).
Një rritje e mëtejshme në 3 për qind është planifikuar për vitin 2029. Ministri Healey pret që deri në vitin 2034 vendi të shpenzojë 3 për qind të PBB-së për mbrojtjen. Ai shprehu besimin se kjo do të ndodhë në periudhën e ardhshme legjislative.