Një laser i ri ushtarak britanik mund të përdoret në Ukrainë për të rrëzuar dronët, ka sugjeruar Sekretari i Mbrojtjes së Britanisë së Madhe, Grant Shapps.
Arma DragonFire e cila pritet të jetë e gatshme për përdorim më së voni deri në vitin 2027, thuhet se mund të ndryshojë rrjedhën e luftës Ukrainë-Rusi.
Por, Shapps ka njoftuar se do të angazhohen në përshpejtimin e ritmit të prodhimit të laserit në mënyrë që ukrainasit ta kenë atë në dorë më herët, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
“Do ta shpejtojmë prodhimin e laserit DragonFire sepse duke pasur parasysh dy konfliktet e mëdha, një me bazë në det e një në Evropë, kjo armë mund të ketë ndikim të madh”, tha Shapps.Ndryshe, armët energjetike të drejtuara me laser (LDEW) përdorin një rreze të fortë drite për të sulmuar objektivin e tyre.
I zhvilluar nga MBDA, Leonardy dhe QinetiQ dhe Laboratori i Shkencës dhe Teknologjisë së Mbrojtjes, sistemi DragonFire është i aftë në rrëzimin e dronëve sulmues dhe madje edhe mortajave.
Bëhet e ditur se modeli i ri i prokurimit që hyn në fuqi javën e ardhshme synon të përshpejtojë procesin e nxjerrjes në terren të zhvillimeve të fundit ushtarake.
“Në një botë më të rrezikshme, qasja jonë ndaj prokurimit po ndryshon me të. Ne duhet të jemi më urgjent, më kritik dhe më global”, tha Sekretari i Mbrojtjes.