Britania e Madhe ka njoftuar një raund të ri sanksionesh kundër cisternave ruse të naftës dhe cisternave të gazit të lëngshëm.
Zyra e Jashtme, Commonwealth dhe Zhvillim (FCDO) tha sot se kishte sanksionuar 18 cisterna nafte, katër cisterna të gazit të lëngshëm dhe kompaninë ruse të gazit “Rusgazdobycha SHA”.
Sipas njoftimit, 18 cisternat e naftës të sanksionuara sot – janë pjesë e të ashtuquajturës flotë hije, dhe FCDO tha se masa e çon numrin total të cisternave të naftës të sanksionuara në 43.
Sekretari i Jashtëm David Lammy tha se Britania e Madhe po merr çdo lloj mase kundër përpjekjeve të Rusisë për t’u “kapur” pas të ardhurave nga energjia.
“Ne duhet të luftojmë aktivitetin keqdashës rus në çdo hap, qoftë taktika të paligjshme për të forcuar luftën e Putinit, përdorimin e sulmeve kibernetike apo barbarizmin në vijën e frontit në Ukrainë”, tha Lammy.
Anijet e sanksionuara janë të ndaluara të hyjnë në portet e Britanisë së Madhe dhe nuk do të lejohen në regjistrin e anijeve në BM.
Javën e kaluar, Britania e Madhe sanksionoi trupat ruse, për të cilat tha se ishin të përfshira në vendosjen e armëve kimike në fushën e betejës në Ukrainë.
Trupat e Mbrojtjes Kimike dhe Biologjike Radiologjike të ushtrisë ruse dhe komandanti i tyre Igor Kirillov, do t’i nënshtrohen ngrirjes së aseteve dhe ndalimit të udhëtimeve.
Dy nga qendrat shkencore të ministrisë ruse të Mbrojtjes u sanksionuan gjithashtu.