Britania po përballet me koston më të lartë në botë për zhvillimin e energjisë bërthamore, sipas një analize të porositur nga kryeministri Sir Keir Starmer.
Raporti kritikon burokracinë e mbingarkuar dhe një sistem rregullator të ndarë në shumë hallka, që sipas ekspertëve po ngadalëson projektet e reja dhe po rrit shpenzimet në nivele të pashoqe, raporton BBC.
Task Forca e Rregullimit Bërthamor kërkon ngritjen e një “one-stop shop” për vendimmarrjen, duke argumentuar se një “riformatim radikal” i rregullave mund t’i kursejë vendit dhjetëra miliarda paund dhe të frenojë rënien e industrisë. Në qendër të rekomandimeve qëndron thjeshtimi i procedurave dhe vlerësimi më realist i rreziqeve, të cilat, sipas raportit, janë trajtuar në mënyrë tepër konservatore.
Britania është futur në një fazë të re investimesh të mëdha bërthamore për të siguruar furnizimet e ardhshme me energji dhe për të përmbushur objektivat e saj të “net zero”.
Projekti Hinkley Point C pritet të hyjë në funksion në fillim të viteve 2030, ndërsa Sizewell C do të nisë prodhimin më vonë gjatë dekadës, me kapacitet për të furnizuar rreth gjashtë milionë shtëpi. Paralelisht, qeveria po mbështet zhvillimin e reaktorëve të vegjël modularë, të cilët ndërtohen më shpejt dhe me kosto më të ulët se centralet tradicionale.
Raporti thekson se rregullat për ekspozimin ndaj rrezatimit në sektorin energjetik janë më të ashpra se në sektorë të tjerë, si dentaria apo mjekësia, duke e çuar sigurinë në ekstrem dhe duke krijuar kosto të panevojshme. Kjo qasje, sipas kryetarit të task forcës, John Fingleton, e ka bërë Britaninë “vendin më të shtrenjtë në botë” për ndërtimin e centraleve bërthamore. Ai paralajmëroi se vendi rrezikon të mbetet jashtë “rilindjes globale bërthamore” nëse nuk modernizon rregullat.
Qeveria pritet t’i përgjigjet gjetjeve të raportit në buxhetin e këtij muaji. Ndërkohë, shumë ekonomi të mëdha po zgjerohen fuqishëm në këtë fushë. Franca ka planifikuar të ndërtojë të paktën gjashtë reaktorë të rinj, Kina ka gati 30 në ndërtim, ndërsa SHBA-të vitin e kaluar përfunduan reaktorin e parë të ri pas më shumë se tre dekadash.
Japonia, e cila i mbylli centralet pas krizës së Fukushima-s, tani synon që energjia bërthamore të sigurojë një të pestën e prodhimit deri në vitin 2040.
Nga ana tjetër, Gjermania ka zgjedhur mbylljen e plotë të kapaciteteve bërthamore, duke përqafuar energjitë e rinovueshme.
Aktualisht, qendrat bërthamore britanike furnizojnë rreth 15% të energjisë elektrike të vendit, por shumica e reaktorëve ekzistues pritet të mbyllen deri në vitin 2030. Kjo e bën presionin për ndërtimin e kapaciteteve të reja edhe më të madh, në një kohë kur debati publik për sigurinë bërthamore vazhdon të jetë i ndjeshëm.




