Britania emëron atasheun e ri të mbrojtjes në Shqipëri

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Ka një emër të ri në frontin e bashkëpunimit ushtarak mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Ambasada Britanike në Tiranë ka mirëpritur zyrtarisht atasheun e ri të mbrojtjes, nënkolonel David Strong, i cili do të përfaqësojë ushtrinë britanike në vend dhe do të punojë ngushtë me Forcat e Armatosura shqiptare.

Në rolin e tij, nënkolonel Strong do të angazhohet në thellimin e bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve, mbështetjen e stërvitjeve të përbashkëta dhe forcimin e nismave për sigurinë rajonale në Ballkanin Perëndimor, vëren diplomacia britanike.

Gjatë vizitës së parë zyrtare të një kryeministri britanik në Shqipëri, kreu i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, zhvilloi në muajin maj një axhendë të ngjeshur takimesh dhe aktivitetesh që thelluan partneritetin strategjik mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Starmer vizitoi Qendrën e Inovacionit dhe Muzeun e Forcave të Armatosura, ku u prit nga ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral-lejtnant Arben Kingji.

Nga ana e tij, Keir Starmer vlerësoi lart rolin e ushtarakëve shqiptarë që kontribuojnë në misionin Interflex, ku bashkë me forcat britanike trajnojnë ushtarë ukrainas në kuadër të përpjekjeve për mbrojtjen e vendit të tyre dhe vlerave demokratike.

Kryeministri britanik u prit në një takim zyrtar në Kryeministri nga homologu i tij shqiptar, Edi Rama. Gjatë takimit u nënshkrua “Deklarata e Qëllimit” ndërmjet dy qeverive, e cila parashikon bashkëpunim të zgjeruar në fushën e eksporteve të mbrojtjes dhe zhvillimin industrial, duke e çuar në një nivel të ri marrëdhënien dypalëshe në këtë sektor.

Share This Article