Qeveria britanike njoftoi se do ta fillojë lëshimin e pasaportës së kaltër për herë të parë pas gati tri dekadave, për ta shënuar largimin e vendit nga Bashkimi Evropian.
Pasaporta e kaltër do ta zëvendësojë pasaportën e kuqe, e cila ishte futur në përdorim në vendet e Bashkimit Evropian nga viti 1988, shkruan “The Guardian”.
Ministrja e brendshme britanike, Priti Patel, e mirëpriti këtë ndryshim, por aktivistët proevropianë dhe politikanët nacionalistë në Irlandën veriore parashikuan se pasaportat e reja do të ndikojnë që britanikët të futen në radhët e ngadalshme në aeroportet dhe portet detare të BE-së.
Patel tha se pasaporta e re është më e avancuara në aspektin teknologjik deri më tani. Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme tha se pasaporta e kaltër i ka disa veçori të përmirësuara të sigurisë.
Britani e Madhe zyrtarisht u largua nga Bashkimi Evropian më 31 janar, por tash vendi ndodhet në periudhën e tranzicionit, e cila do të zgjasë deri në fund të vitit dhe gjatë së cilës vazhdon zbatimi i rregullave të BE-se.