Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab dënon “përpjekjet e Kinës për të heshtur ata që flasin për abuzimet e të drejtave të njeriut”
Britania e Madhe tha se Kina duhet të lejojë hyrjen e OKB-së në provincën Xinjiang nëse dëshiron “të hedhë poshtë kredibilitetin e pretendimeve të shkeljeve të të drejtave të njeriut atje”.
Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab reagoi për sanksionet kineze ndaj 9 individëve britanikë, të cilat erdhën pasi Britania shpalli sanksione ndaj zyrtarëve kinezë së bashku me disa aleatë javën e kaluar.
“Kjo flet shumë se derisa Britania bashkohet me komunitetin ndërkombëtar në sanksionimin e atyre që janë përgjegjës për abuzimet e të drejtave të njeriut, qeveria kineze sanksionon kritikët e saj”, tha Raab në një deklaratë.
“Nëse Pekini dëshiron të kundërshtojë me kredibilitet pretendimet e abuzimeve të të drejtave të njeriut në Xinjiang, ata duhet të lejojnë hyrjen e Komisionarit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut për të verifikuar të vërtetën”, shtoi ai.
“Dënojmë përpjekjen e Kinës për të heshtur ata që flasin për abuzimet e të drejtave të njeriut, brenda dhe jashtë vendit, duke përfshirë deputetët britanik dhe të tjerët”, tha Raab në një mesazh të veçantë në Twitter.
Në mesin e individëve, përfshirë disa ligjvënës, janë Tom Tugendhat, Iain Duncan Smith, Neil O’Brien, David Alton, Tim Loughton, Nusrat Ghani, Helena Kennedy, Geoffrey Nice dhe Joanne Nicola Smith Finley.
Pekini gjithashtu vendosi sanksione ndaj Grupit Kërkimor të Kinës, Komisionit për të Drejtat e Njeriut të Partisë Konservatore, Tribunalit Ujgur dhe Dhomave të Gjykatës Essex.
Në fillim të kësaj jave, Britania vendosi sanksione ndaj zyrtarëve kinezë rreth pretendimeve për abuzim të të drejtave të njeriut të grupeve etnike ujgure në Xinjiang të cilët janë kryesisht muslimanë. Pekini ka mohuar pretendimet e tilla.
Pekini thirri gjithashtu ambasadorin britanik në Kinë për të protestuar ndaj sanksioneve.
Kina ka mohuar në mënyrë të përsëritur pretendimet për kampe ndalimi në rajonin e saj veriperëndimor Xinjiang, vendbanimi i komunitetit ujgur, duke pretenduar se është duke “riarsimuar” ujgurët.