Sekretari britanik i Mbrojtjes, James Heappey tha se “të gjitha opsionet janë në tryezë” për mënyrën se si Perëndimi do t’i përgjigjet përdorimit të armëve kimike nga Rusia në Ukrainë.
Heappey në deklaratat e tij për mediat vendase pas akuzave se Rusia përdori armë kimike në qytetin ukrainas të Mariupol, deklaroi se qeveria britanike nuk mund të konfirmonte ende raportet për përdorimin e armëve kimike.
“Megjithatë, nëse përdorimi i armëve kimike vërtetohet se është i saktë, presidenti rus, Vladimir Putin duhet të dijë se ‘të gjitha opsionet’ janë në tavolinë se si do të përgjigjet Perëndimi”, tha ai.
I pyetur nëse kjo do të nënkuptonte përfshirje të drejtpërdrejtë të NATO-s, Heappey u përgjigj: “Të gjitha opsionet janë në tryezë”.
– “Një moment i rëndësishëm që liderët të mendojnë se si do t’i përgjigjemi kësaj”
Duke theksuar se Putini duhet të jetë i vetëdijshëm për përdorim “të papranueshëm” të armëve kimike, Heappey tha: “Ne nuk duhet të presim që Perëndimi të qëndrojë si shikues kundër përdorimit të këtyre armëve”.
Duke theksuar se ka disa gjëra që kalojnë kufijtë dhe është e rëndësishme të jemi shumë të qartë se përdorimi i armëve kimike do të marrë një përgjigje, Heappey nënvizoi se opsionet janë në tavolinë se cila mund të jetë kjo përgjigje.
“Nëse armët kimike janë përdorur, ky është një moment vendimtar për kryeministrin tonë (Boris Johnson) dhe krerët e tjerë të qeverive në mbarë botën që të shqyrtojnë se si do të përgjigjemi ne”, tha sekretari britanik i Mbrojtjes, Heappey.
Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss dje në Twitter shkroi se vendi i saj po punon me partnerët e tij për të konfirmuar detajet e raporteve se forcat ruse mund të kenë përdorur armë kimike në një sulm në Mariupol.