Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Dominic Raab, ka njoftuar se vendi i tij do t’i pakësojë ndihmat për Sirinë për një të tretën, duke deklaruar në konferencën e donatorëve të Kombeve të Bashkuara se qeveria do të ofrojë 205 milionë paundë këtë vit, ndonëse vitin e kaluar u premtuan 300 milionë paundë.
Kryediplomati britanik e pranoi faktin se shtetet e Lindjes së Mesme dhe fqinjët e tyre janë nën trysni edhe më të madhe për shkak të pandemisë së koronavirusit, por tha se Britania deri më tani ka dhënë 3.5 miliardë paundë në përkrahje të refugjatëve sirianë nga viti 2012 dhe se i është dashur që t’i rishikojë prioritetet e veta pas shfaqjes së pandemisë.
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Gjermania janë donatorët më të mëdhenj për Sirinë, ndonëse ekonomitë e tyre gjithashtu janë prekur nga pandemia. Sidoqoftë, asnjëra prej tyre nuk njoftoi për pakësim të ndihmave.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, premtoi 480 milionë paundë ndihma për Sirinë për këtë vit dhe të njëjtën shumë edhe për vitin e ardhshëm, shkruan Independent.
Në anën tjetër, Britania si duket nuk e ka ndërmend ta ndërpresë shitjen e armëve, madje edhe në shtetet që janë të përfshira në konflikte që po shkaktojnë vrasje të civilëve e kriza humanitare.
Sipas gazetës britanike, “Independent”, ministrat e Johnsonit që nga viti 2017 kanë miratuar shitje të armëve në vlerë të 2 miliardë funteve në regjimet shtypëse.
Arabia Saudite, e cila është kritikuar për ndërhyrjen ushtarake në Jemen, ka blerë armë prej 719 milionë paundëve. Në mesin e blerjeve ka bomba, raketa, aeroplanë luftarakë, snajperë dhe municion.
Më 6 gusht 2020, nga sulmet ajrore të koalicionit ushtarak të udhëhequr nga Arabia Saudite u vranë nëntë fëmijë dhe 12 të tjerë u lënduan në Jemen.