Sekretarja për Tregti Ndërkombëtare e Britanisë së Madhe, Anne-Mrie Trevelyan, i ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara se vendi i saj mund të shtojë masa hakmarrëse, nëse tarifat ndëshkuese ndaj eksportit të çelikut të Britanisë nuk hiqen së shpejti.
Ajo ka qenë në Shtetet e Bashkuara për bisedime me sekretaren amerikane për Tregti, Gina Raimondo. “Ishta shumë e qartë se trysnia nën të cilën gjendemi për të përdorur masa baraspeshuese, nëse nuk mund ta zgjidhim problemin, janë duke u bërë më akute”, tha ajo.
Zonja Trevelyan tha se e ka ftuar Raimondon në Londër për bisedime të mëtejme rreth kësaj çështjeje në janar. Por deri atëherë, kompanitë britanike do të jenë në disavantazh të konkurrencës në krahasim me kompanitë me seli në BE, shkruan BBC.
“Jam shumë e interesuar që ta zgjidhim këtë me atë që është aleati ynë më i ngushtë në ShBA përmes një largimi pozitiv të tarifave”, tha zyrtarja e lartë britanike, duke shtuar se zgjidhja e mosmarrëveshjes do të sillte përfitime për punëtorët dhe bizneset në të dyja anët e Atlantikut.
Tarifat e periudhës së ish-presidentit Trump prej 25 për qind ndaj eksporteve britanike të çelikut dhe 10 për qind ndaj eksporteve të aluminit ishin vendosur në kohën kur Mbretëria e Bashkuar ishte pjesë e Bashkimit Evropian.
Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë arritur një marrëveshje për largimin e këtyre taksave nga 1 janari, por tarifat ndaj prodhuese britanikë do të mbeten në fuqi.