Goditja e Keir Starmer ndaj ndihmës për jashtë ka sjellë një ulje prej 40% të fondeve për kundërshtimin e agresionit dhe dezinformimit rus në një rajon të Europës që kryeministri e ka përshkruar si jetik për sigurinë kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar.
Financimi britanik i dedikuar forcimit të Ballkanit Perëndimor, ku Rusia është akuzuar për nxitje përçarjeje dhe krijim destabilizimi, është ulur nga 40 milionë paund vitin e kaluar në 24 milionë paund për vitin 2025-26.
Fondi i Integruar i Sigurisë (Integrated Security Fund-ISF) është krijuar për të adresuar kërcënimet me prioritet më të lartë ndaj sigurisë kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar, brenda vendit dhe jashtë tij.
Starmer së fundmi e përshkroi rajonin e Ballkanit Perëndimor, që përfshin Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, si ‘zona e Europës-vendi ku vihet në provë siguria e kontinentit tonë’.
Fondet e ISF të vitit të kaluar u përdorën pjesërisht për të kundërshtuar dhe reaguar ndaj sulmeve kibernetike keqdashëse në rajon, si dhe për të forcuar institucionet demokratike dhe median e pavarur.
Ulja e financimit nga qeveria britanike duket se është pasojë e politikës së Starmer për të reduktuar Ndihmën Zyrtare për Zhvillim (Official Development Assistance-ODA) për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Shuma e ODA-së e dedikuar për Ballkanin Perëndimor në kuadër të ISF është ulur nga 31.91 milionë paund në vitin 2024–25 në 17 milionë paund për vitin 2025–26. Shifrat nga Zyra e Kabinetit tregojnë gjithashtu një ulje prej 1.15 milionë paundësh në financimin ‘jo-ODA’ për rajonin.
Viti financiar 2025-26 është i pari në një tranzicion gradual të shpallur nga qeveria drejt uljes së ODA-së nga 0.5% në 0.3% të të ardhurës kombëtare bruto deri në vitin 2027.
Emily Thornberry, kryetare e Komitetit të Punëve të Jashtme dhe ish-ministre e jashtme në hije në ekipin e Starmer para zgjedhjeve të përgjithshme, tha:
‘Vizitova Ballkanin Perëndimor më herët këtë muaj. Është shumë e qartë se ata janë në vijën e parë të luftës kundër dezinformimit dhe ndërhyrjes ruse, dhe jam shumë krenare për punën që Mbretëria e Bashkuar po bën për t’i mbështetur në këtë betejë-për sigurinë e tyre dhe të gjithë Europës. Nevojitet më shumë punë për të mbështetur median e pavarur, jo më pak. Njerëzit janë të etur të mësojnë të vërtetën dhe është shumë e vështirë ta gjesh atë.’
Dr. Kate Ferguson, bashkë-drejtoreshë ekzekutive dhe drejtuese e politikave dhe kërkimit në Protection Approaches, një OJQ që punon në Ballkanin Perëndimor për parandalimin e dhunës së bazuar në identitet, tha se Mbretëria e Bashkuar ka pasur një bilanc të mirë në rajon dhe kjo nuk duhet të dëmtohet tani.
‘Strategjia e sigurisë kombëtare e pranon me të drejtë se ndodhemi në një periudhë të intensifikimit të konkurrencës strategjike për rregullat dhe qeverisjen e botës sonë; në Europë këtë e shohim te mënyra se si Rusia diversifikon përpjekjet për të minuar konsensusin tonë demokratik,’ tha ajo.
‘Është thelbësore, pra, që Ministria e Jashtme të jetë e pajisur në mënyrë të duhur dhe të mjaftueshme për t’u përballur me këto kërcënime në rritje ndaj demokracisë dhe sigurisë sonë kolektive.
‘Në vitet e fundit, Mbretëria e Bashkuar është dalluar në Ballkanin Perëndimor si një udhëheqëse e besueshme dhe parimore, kur të tjerët ndonjëherë kanë dështuar. Tani, teksa format e reja të agresionit rus dhe ndikimit keqdashës po thellohen në rajon, kjo udhëheqje duhet të forcohet-jo të zbehet.’
Këtë javë, shefi i ri i MI6, Blaise Metreweli, tha se Britania ndodhet në ‘një hapësirë mes paqes dhe luftës’ dhe e përshkroi Rusinë si ‘agresive, ekspansioniste dhe revizioniste, që synon të nënshtrojë Ukrainën dhe të shqetësojë NATO-n’.
Shelagh Daley, drejtuese e ekipit të politikave në Saferworld, një OJQ që zbaton programe në Ballkanin Perëndimor, tha se shkurtime të tilla duket se janë pjesë e një lëvizjeje të qeverisë britanike për të ulur prioritetin e parandalimit të konflikteve.
‘Kjo pasqyron atë që po shohim si një prirje më të gjerë në shpenzimet e ISF dhe ndihmës së jashtme britanike mes këtyre shkurtimeve. Duket si një ulje e vëmendjes ndaj punës për parandalimin e konflikteve dhe ndërtimin e paqes, edhe pse konfliktet janë shtuar globalisht, shoqëritë janë bërë më të përçara dhe liritë themelore po kufizohen.
‘Nuk duket koherente apo strategjike të tërhiqesh nga programe që synojnë të adresojnë shkaqet e konfliktit dhe brishtësisë në një kohë kur rreziqet për sigurinë globale janë kaq të larta.’
Një zëdhënës i qeverisë tha: ‘Shifrat në raport përfaqësojnë vetëm një pjesë të investimit total të Mbretërisë së Bashkuar në Ballkanin Perëndimor për çështje si krimi i organizuar dhe aktivitetet armiqësore shtetërore.’
‘ISF është projektuar për t’u përshtatur me prioritetet më të fundit të sigurisë kombëtare dhe shpesh financon projekte afatshkurtra, ndaj është e natyrshme që vendimet për shpenzimet të evoluojnë me kalimin e kohës.’




