Sistemi publik shëndetësor në Mbretëri të Bashkuar është duke humbur mjekë me përvojë, të cilët po shkojnë në vende të tjera, përfshirë Irlandën, Australinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, sepse atje mund t’u dyfishohet paga dhe të kenë kushte të tjera më të mira të punës.
Udhëheqësit e shëndetësisë janë të shqetësuar për rritjen e numrit të mjekëve e kirurgëve me shumë përvojë që po shkojnë në shtete të huaja, i është thënë gazetës “The Guardian”. Një numër gjithnjë më i madh i mjekëve të moshës së mesme po zgjedhin jetë të re jashtë vendit, dukuri që po e përkeqëson krizën e fuqisë punëtore në sistemin publik shëndetësor në Britani.
Lajmi për ikjen e mjekëve erdhi pas mbajtjes së ditës së dytë të grevës së mjekëve në Angli të premten për shkak të një mosmarrëveshjeje me qeverinë rreth pagave. Ata do të hyjnë përsëri në grevë për 48 orë në fundin e muajit të ardhshëm.
Rekrutuesit globalë mjekësorë me vite kanë mundur që të joshin mjekë me më pak përvojë nga sistemi shëndetësor publik në Britani, sepse ata janë më të rinj dhe kanë më pak arsye për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar.
Megjithatë, udhëheqësit mjekësorë po brengosen gjithnjë më shumë për shfaqjen e dukurisë së largimit të mjekëve me përvojë, në disa raste edhe të atyre me disa dekada përvojë, nga sistemi publik i shëndetësisë dhe nga vendi.
Simon Walsh, nënkryetar i komisionit të mjekëve në Shoqatën Mjekësore Britanike, tha se gjithnjë më shumë mjekë po joshen për të punuar jashtë vendit për shkak të sasisë së parave që mund ta fitojnë dhe shpesh kushteve superiore të punës.
Si mjek i mjekësisë urgjente, ai tha se pranon shkresa elektronike javore, me të cilat ftohet që të aplikojë për vende pune fitimprurëse në Lindje të Mesme dhe në vende të tjera të botës.
“Përvoja ime personale është se gjatë dy viteve të fundit, tre prej kolegëve të mi kanë vendosur që të shkojnë dhe të punojnë në Australi ose në Zelandë të Re. Për një periudhë të shkurtër, ky është një numër goxha domethënës dhe ata janë njerëz që kanë familje”- tha ai.
“Është vendim goxha i madh, kur do të jetë vështirë që t’i shihni prindërit tuaj ose familjen më të gjerë dhe t’i vendosni fëmijët tuaj në një sistem tjetër shkollimi, pra nuk është vendim që njerëzit e marrin lehtë. Nuk është befasi, kur paga fillestare ndoshta do të jetë dyfishi i asaj që do ta merrnim këtu”– shtoi Walsh-i.
Sipas mjekut britanik, në disa zona të skajshme, mjekëve të sistemit publik po u ofrohet edhe më shumë. “Kam dëgjuar për paga që ishin të paktën tri herë më të larta se pagat në Mbretëri të Bashkuar, nëse nuk e arrijnë katërfishin”– tha ai.