Numri i rasteve të reja arriti në 78.610, që shkaktoi edhe reagimin e autoriteteve shëndetësore të cilët u bënë thirrje njerëzve që “t’u japin përparësi gjërave të rëndësishme”
Britania ka regjistruar numrin më të lartë të rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19) që nga fillimi i pandemisë.
Numri i rasteve të reja arriti në 78.610, që shkaktoi edhe paralajmërimin e shefit mjekësor Chris Whitty i cili u bëri thirrje njerëzve që “t’u japin përparësi gjërave të rëndësishme”.
“Kam frikë se po shohim rritjen e pashmangshme të hospitalizimeve për 10 për qind në tërë vendin nga java në javë, si dhe rritje prej pothuajse një të tretën në Londër”, tha Whitty, duke shtuar se numri i rasteve shtohet nga varianti Omicron “që ka rritje shumë të shpejtë”.
“Kam frikë se duhet të jemi realistë se rekordet do të tejkalohen shumë gjatë disa javëve në vijim, teksa shkalla vazhdon të rritet”, tha Whitty për BBC News.
Zyrtari mjekësor i bëri thirrje njerëzve që të mos përfshihen në turma pa nevojë dhe të jenë të vetëdijshëm që pandemia është reale dhe e pranishme, për më tepër me përhapjen e variantit të ri.
Ndërkohë, kryeministri Boris Johnson e bëri të qartë që qeveria nuk do të anulojë ngjarjen e festave të fundvitit dhe se nuk do të ketë ndalesa për tubime apo mbyllje të restoranteve dhe kafeve. Megjithatë, ai bëri thirrje për kujdes gjatë socializimit.
Të martën, parlamenti britanik votoi për zbatimin e masave të “Planit B”, që parashohin mbajtje të obligueshme të maskës në vendet publike dhe në transportin publik, si dhe kërkimin e certifikatës së vaksinimit.
Britania të dielën rriti në nivelin e katërt alarmin për COVID-19 për shkak të përhapjes së variantit Omicron. Niveli i katërt nga gjithsej pesë nivelet e parapara në udhëzuesin e qeverisë, nënkupton që “epidemia COVID-19 është në qarkullim të përgjithshëm, transmetimi është i lartë dhe presioni i drejtpërdrejtë nga COVID-19 ndaj shërbimeve shëndetësore është i përhapur dhe i konsiderueshëm, apo është në rritje”.