Rusia po i fërkon duart nga përplasja mes Shteteve të Bashkuara dhe Europës lidhur me Groenlandën. Teksa retorika e Trump ndaj udhëheqësve europianë përshkallëzohet gjithmonë e më shumë, Moska nuk humb rastin për të ndërhyrë.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, komentoi se Groenlanda nuk ishte pjesë natyrale e Danimarkës, ndërsa tha se problemi i ish-territoreve koloniale po bëhej gjithmonë e më akut.
“Groenlanda, në parim, nuk është pjesë natyrale e Danimarkës, apo jo? Nuk ishte as pjesë e Norvegjisë dhe as e Danimarkës. Është një pushtim kolonial. Fakti që banorët janë tani të mësuar me këtë dhe ndihen rehat është çështje tjetër”, u shpreh Lavrov.
Por teksa përçarjet mes aleatëve transatlantikë ngazëllejnë Moskën, kjo e fundit ka mohuar sugjerimet se po kërkon të kontrollojë ishullin. Lavrov tha gjatë konferencës së të martës se Rusia nuk ka asnjë interes të ndërhyjë në çështjen e Groenlandës, e as ta marrë atë.
Shefi i diplomacisë ruse sulmoi Britaninë e Madhe, të cilën e ka shpallur si armikun kryesor për mbështetjen e fortë ndaj Ukrainës. Sipas Lavrovit, Britania nuk ka pse ta quajë veten “e madhe”.
“Pa ofendim, por mendoj se duhet të quhet thjesht ‘Britani’. Sepse me ‘Britani të Madhe’, ky është i vetmi rast në histori kur një vend e quan veten ‘të madh’”, tha ai.
Rusia akuzon Londrën se po punon fuqishëm në prapaskenë për të minuar interesat e Moskës nëpër botë, ndërsa ka vendosur kufizime të stilit sovjetik ndaj diplomatëve britanikë.
Ndërsa përjashtoi mundësinë e arritjes së ndonjë marrëveshjeje me liderët europianë, Lavrov u shpreh i gatshëm për bashkëpunim me SHBA-në lidhur me Ballkanin, mbi atë që po ndodh në Bosnje, por edhe në vende të tjera.

