Përpjekjet ukrainase për të rrëzuar dronët e prodhimit iranianë, Shahed-136, po janë “gjithnjë e më të suksesshme”, teksa Rusia po vazhdon të përdorë këto lloje dronësh kundër caqeve në mbarë Ukrainën.
Kështu tha më 24 Tetor Ministria britanike e Mbrojtjes në buletinin ditor lidhur me luftën në Ukrainë.
Britania po ashtu tha se këta dronë janë të ngadalshëm, të zhurmshëm dhe fluturojnë në lartësi të ulëta, duke u bërë shënjestër e lehtë për mbrojtjen konvencionale ajrore.
Inteligjenca britanike citoi burimet zyrtare ukrainase, përfshirë presidentin Volodymyr Zelensky, i cili pretendoi se “deri në 85 për qind e sulmeve po pengohen”.
Ukraina thotë se Rusia po godet infrastrukturën e saj duke përdorur dronët Shahed-136 që nisen drejt objektivit dhe shpërthejnë me t’u përplasur me të. Si Irani, ashtu edhe Rusia, mohojnë këto akuza.
Teherani më 22 Tetor kritikoi thirrjet e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë që Kombet e Bashkuara të hetojnë pretendimet se Rusia po përdor dronët e prodhimit iranian për të sulmuar Ukrainën.
Inteligjenca britanike, megjithatë, tha se Rusia ka të ngjarë që të përdorë një numër të madh të dronëve Shahed-136 në mënyrë që të shmangë mbrojtjen ajrore ukrainase, e cila, sipas Britanisë, po bëhet gjithnjë e më efektive.
Në buletinin e inteligjencës britanike u sugjerua se Rusia ka gjasa që t’i përdorë dronët iranianë si zëvendësim për armët precize me rreze të gjatë veprimi, që prodhohen nga Moska, stoqet e të cilave po pakësohen. /REL