Qeveria britanike ka kaluar mbrëmë në parlament një ligj që kufizon aksesin në ndihmat sociale, përfshirë edhe për personat me aftësi të kufizuara, duke vendosur kritere më të rrepta për përfitimin e përkrahjes financiare.
Kryemimnistri britanik Keir Starmer, i ka kërkuar me forcë deputetëve të tij të votojnë pro reformës, pavarësisht kundërshtimeve të forta nga krahët e majtë të partisë, të cilët e konsiderojnë këtë një hap prapa në luftën kundër varfërisë.
Deputetja Rachael Maskell, e njohur për qëndrimet kritike, denoncoi në parlament se ndërsa pabarazitë dhe varfëria po rriten, po preken sërish më të dobëtit. Sipas saj, kjo reformë do të shtojë në varfëri rreth 150,000 persona, duke përshkallëzuar kështu një situatë tashmë alarmante.
Ndërkohë, qeveria ka bërë të qartë se qëllimi kryesor është të nxitet kthimi në punë i përfituesve të ndihmave dhe të luftohet abuzimi i sistemit të mirëqenies sociale. Por në praktikë, shumë nga ndryshimet janë zbutur dhe përfitimet sociale do të mbeten kryesisht të pandryshuara në afatin e shkurtër.
Ministrja e Financave, Rachel Reeves, do të duhet të gjejë rreth 6 miliardë paund për të financuar shpenzimet që lidhen me këtë reformë.
Në sfond, rritja e shpenzimeve ushtarake për shkak të tensioneve me Rusinë krijon një situatë të vështirë për buxhetin publik. Kjo po shkakton debate të ashpra jo vetëm në Partinë Laburiste, por edhe në komunitetet tradicionalisht të majta, të prekura nga deindustralizimi dhe ku populizmi i djathtë po fiton terren.
Situata është e ngjashme me tensionet politike në dramën klasike të Shakespeare-it, “Enrico IV”, ku mbreti dhe sundimtarët përballen me sfida të brendshme dhe ekstreme.