Britanikët po vërshojnë drejt Shqipërisë, teksa vendi po shijon një shpërthim të industrisë së turizmit, falë plazheve piktoreske, hoteleve me çmime te arsyeshme dhe restoranteve të lira.
Kështu shkruan tabloidi britanik, Daily Mail që citon ekspertë të udhëtimeve në vend. Siç thuhet, më shumë se 120 mijë shtetas britanik vizitojnë çdo vit tani shtetin ballkanik, turizmi i të cilit po shijon vitin më të suksesshëm deri tani me 3,4 milionë vizitorë të huaj në 6 muajt e parë të vitit.
“Vendi malor pritet të jetë edhe më joshës këtë dimër, me nisjen e fluturimeve të reja “low cost” nga Ryanair dhe Wizzair”, shkruan “Daily Mail”. Tabloidi shton më tej, se sipas një studimi të bërë prej tij, një drekë ose darke për dy persona në një restorant me çmime mesatare në Shqipëri, shkon afërisht 29 paund në total, ndërsa një birrë kushton 1,67 paund.
Qyteti më pak i shtrenjtë për birrë, vlerësohet Berati. Sipas të dhënave të databazës Numbeo mbi të dhënat e jetesës, Tirana rezulton si qyteti më i shtrenjtë për të ngrënë jashtë, e megjithatë, edhe atje, një drekë ose darkë për dy vetë, kushton vetëm 33 paund.
Çmimet e hoteleve janë gjithashtu të arsyeshme, pohon Daily Mail, e cila duke cituar të dhënat ebooking.com, thotë se ato janë mesatarisht 41 paund për një natë në hotel me 3 yje, 60 paund për hotelet me 4 yje, dhe 116 paund për ato me 5.
Media që i ka kushtuar një sërë artikujsh çështjes së emigrantëve të paligjshëm nga Shqipëria hedh poshtë pretendimet e azilkërkuesve se Shqipëria është një vend i pasigurt, dhe shkruan se vendi ynë po kthehet në një destinacion pushimesh për britanikët që kërkojnë opsione më të përballueshme jashtë vendit mes rritjes së inflacionit.