Nga “THE ATHLETIC”
Për herë të dytë brenda 10 muajve, fokusi i kamerave ra i gjithi mbi Armando Brojën. Dhjetorin e kaluar ulërinte në agoni, teksa në miqësoren e Çelsit me Aston Vilën në Abu Dabi, sulmuesi shqiptar u shtri në tentativën për të kapur një top, por pikërisht aty në përplasje me mbrojtësin Konsa këputi ligamentet e gjurit. Por të hënën në mbrëmje, gati një vit më pas nga ndeshja e tij e fundit, ulërimat ishin gëzimit.
Armando është kthyer, me golin e 2-0 për Çelsin, i cili blindoi edhe fitoren e bluve. Dhe Broja u rikthye atëherë kur duhej, në momentin më të vështirë të bluve të Londrës, në momentin që pozitat e shumë prej pjesëtarëve të klubit ishin vënë në dyshim nga ana e tifozërisë dhe padyshim ai që rrezikonte më shumë ishte Mauricio Poçetino. Dhe jo më kot, mund të kuptohen qartë edhe buzëqeshjet dhe përkëdheljet e trajnerit argjentinas ndaj djaloshit të artë shqiptar në fund të ndeshjes, sepse ai gol i tij e mban të qetë stolin, por mban disi më të qetë edhe atë tenxhere me presion që ishin shndërruar tifozët nga “Stamford Bridge”, të cilët tashmë më shumë se kurrë shohin tek Armando Broja edhe një shpresë kthese të madhe për një skuadër që vazhdon të notojë në ujëra të turbullta. Dhe kur mendon se në 3 sesione merkatoje presidenti i ri i Çelsit ka shpenzuar mbi 1 miliard euro për disa lojtarë, që as nuk kuptohet shpenzimi për ta, Armando Broja është ngushëllimi, por ndoshta edhe futbollisti që i mungonte kësaj skuadre për të pasur një tjetër ritëm.
Sepse po, askush deri tani si Broja nuk ka ofruar një impakt kaq të fortë në fushën e lojës. Shqiptari garanton prezence fizike, paparashikueshmëri, por edhe fati i munguar në shumë tentativa i Çelsit për të zhbllokuar ndeshjet. Përse të shpenzosh aq shumë në sulm, kur ke një lojtar si Broja, që ka gjithçka dhe mbi të gjitha, çdo ndeshje më shumë që luan konfirmohet një problem i madh për mbrojtësit, por mbi të gjitha më në fund është një zgjidhje e rëndësishme për problemet e skuadrës dhe të Poçetinos, që të tentojë të bëjë diçka më ndryshe nga sa është parë deri tani në spondën blu të Londrës.
PANORAMASPORT.AL