Nga Holanda në Gjermani për të vijuar në Itali. Në letër, gjithnjë nëse i referohemi mediave angleze, ofertat për Armando Brojën nuk mungojnë, madje janë të shumta. Së fundmi në skenë ka dalë edhe ekipi i PSV Eindhoven, me kampionët holandez që shohin te Broja një opsion konkret për të përforcuar fazën ofensive. Më herët, nga Holanda interes kishte shfaqur edhe ekipi i Ajax.
Emri i Brojës vijon të bëjë xhiron në mediat pranë klubit të Chelsea-t, ku kohët e fundit u fol edhe për një kalim në Bundesligë, ku ekipi si Shtutgart apo Lajpzig po kryesin sondazhe për të kuptuar nëse ekziston mundësia për të transferuar në Gjermani sulmuesin kuqezi. Emri i fundit që doli në skenë ishte ekipi i Parmës, por më shumë dukej si një lajm mediatik.
Në Angli kanë dhe një tjetër version, ku mediat kanë zbuluar se pavarësisht emrave të shumtë që lakohen, në derën e Chelseat nuk ka ardhur asnjë ofertë konkrete. Nëse situata nuk ndryshon deri në fund të merkatos së verës, nuk përjashtohet mundësia që Chelsea të kalojë Brojën në formë huazimi tek ekipi i Strazburg, në Francë, skuadër që është në pronësi të pronarëve amerikan të Chelsea-t.
Është e qartë që Broja nuk bën pjesë në planet e Chelseat, lojtari është nxjerr në shitje, por këtë verë drejtuesit e klubit kërkojnë të shesin përfundimisht kartonin e tij duke i dhënë fund huazimeve të njëpasnjëshme.