Altin Rraklli, ish-sulmues i kombëtares, komentoi shortin e kualifikueseve të “Euro 2024”, Armando Brojën dhe trajnerin Edy Reja.
Në lidhje me shortin, Rraklli deklaroi se në pamje të parë duket short i favorshëm, po të marrësh parasysh skuadra të tjera që mund të na binin, “por historikisht kemi pasur probleme me ekipet e lindjes”. Ish-futbollisti shtoi se bëhet fjalë për skuadra në zhvillim, që kanë evoluar goxha dhe duke mos pasur emër të madh, vështirë të motivohesh në maksimum.
Megjithatë, sipas Rrakllit, Shqipëria i ka cilësitë për të mundur Poloninë dhe Republikën Çeke: “Duhet të bëhen shumë faktorë bashkë. Cilësinë e kemi, ashtu siç e kanë edhe kundërshtarët, megjithatë në futbollin modern luajnë rol shumë faktorë. Duhet të kemi mobilizim perfekt, të gëzojmë formë shumë të mirë dhe të japim maksimumin për të mundur Poloninë apo Republikën Çeke në një ditë të caktuar”.
Sa i përket talenteve në kombëtare, Rraklli tha se duhet ta shfrytëzojmë më shumë Armando Brojën.
“Nuk e kemi shfrytëzuar Brojën 100%. Ne duhet ta shfrytëzojmë talentin e tij si skuadër dhe ta përgatisim atë që të luajë për ekipin. Si Broja, ka edhe shumë të tjerë, si Bare apo Kumbulla. Duhen rritur në skuadër që të mendojnë se skuadra duhet të fitojë, jo individi”, u shpreh ish-futbollisti.
Kur u pyet nëse cikli i trajnerit Edy Reja ka përfunduar në kombëtare, Rraklli theksoi: “Presidenti i Federatës është tifoz i shkollës italiane të trajnerëve, por unë mendoj se Reja vetë duhet të ishte larguar nga kombëtarja, pasi ekipi nuk po i përgjigjet më. Në një grup me dy ekipe modeste, dolëm të fundit. Ka ardhur koha që t’i lërë vendin një trajneri të ri dhe ka ardhur koha edhe për një trajner të ri. Kemi Ilir Dajën për shembull, me suksese të freskëta në arenën ndërkombëtare”.