Regjisori Robert Budina ishte i fundit nga komuniteti i artistëve që u lirua nga policia. Pasi ju bashkua qytetarëve të shumtë, ai deklaroi se kryeministri Rama i ka shpallur luftë me vetëdije popullit të tij.
Budina tha se shembja e teatrit ishte një ndërhyrje mafioze. Për Budinën ky është momenti dhe koha që njerëzit të kuptojnë se çfarë është në gjendje të bëjë kjo qeveri.
Sa i takon teatrit, ai tha se shemben muret por jo simbolin dhe se Teatri do të rikthehet aty ku ishte.
Për këtë ai kërkoi mobilizim qytetarë për të shembur atë që ai e quan sistem i diktaturës.
Deklarata e Bdinës:
Sot ata bënë një ndërhyrje mafioze, dëshira me të cilën shkatërronin Teatrin Kombëtar është e paimagjinueshme, me urrejtje, me dëshirë për të ngjallur vëllavrasje dhe pasi dolëm nga godina disa nga efektivët drejtuan edhe armët automatike, ishte i gjithin presion psikologjik. Nuk kishin shanse të bënin gjë se ishim në dritë të hapur pasi dolëm nga godina, por presioni psikologjik ishte i frishëm, ishte tipi i një shteti mafioz i organizuar në mënyrë komuniste. Por nuk kanë kuptuar se ata shembën muret por jo simbolin.
Kam marrë kontakte nga njerëzit më të rëndësishëm të medias ndërkombnëtare dhe nga figura europiane që janë realisht të shqetësuara. U bë një tentativë ndaj demokracisë, muret do ti kthejmë aty ku ishin, nuk diskutohet. Sot kryeministri shqiptar i ka hapur luftë popullit të tij me vetëdije të plotë për të na treguar se jemi vetëm. Mos e harroni.
E bëri për të shembur shpresën dhe jo muret.Tentativë për të prerë çdo marrëdhënie me popullin, opozitën dhe për ti dhënë alibi vetes që ai ka të drejtë. Sot më shumë se kurrë duhet një ndërgjegje, njerëzit ta kuptojnë me vullnetin e tyre se çfarë janë në gjendje të bëjnë. Ne nuk jemi dorëzuar absolutisht. Ai shkoi në delir ekzaktësisht për këmbënguljen tonë se nuk e duronte dot. Nëse shumë gazetarë do të kishin qenë me ne, do të kishin këmbëngulur në televizionet e tyre kombëtare dhe nuk do të kishte ndodhur kjo katrahurë.
Do të vijnë t’ju çmontojnë shtëpitë tuaja, shpirtit tonë nuk kanë çfarë i bëjnë se e kemi lënë aty.Nuk jemi të dëshpëruar, ne do ta rikthejmë simbolin në formë tjetër dhe do ti ringremë ato mure siç kanë qenë. Nëse shqiptarët nuk ngrihen që tu tregojnë se çfarë janë do të jetë e vështirë edhe në të voglën e tyre se do të sundohen nga modeli i tiranit. Çdo drejtor do të jetë një tiran, çdo drejtues do të jetë një tiran. Është ky modeli i diktaturës, çështja është me e shemb këtë model.
Nuk keni parë gjë akoma, e dimë shumë mirë që diktatura nuk vjen me një ditë. Fitimi i demokracisë është një maratonë dhe jo sprint.Ai tani ka një llogari personale me gjithë ne, do ti ngjitemi me bukë në torbë kudo që të jetë do të na ketë nga pas, do na ketë në ndërgjegje, ai mund të qeshë dhe ne do të kërcejmë.
Jam i mahnitur nga çmenduria dhe perversiteti shpirtëror që përcjell ky Kryeministër. Ky e ndërtoi farën e të keqes dhe na e solli para turinjve, tani shijojeni të dashur qytetarë, kënaquni me të. 10 njerëz po të jemi, jemi mjaftueshëm që ta përmbysim këtë simbol. Do të shohim në vazhdim se kush ka pasur të drejtë, ai që bëri atentat natën apo ne që ndenjëm dy vjet e tre muaj.