Bullgaria ka në plan t’i dhurojë rreth 150 mijë vaksina kundër COVID-19 për fqinjët e saj ballkanikë, tha sot Ministri i Shëndetësisë, Stoycho Katsarov.
Bullgaria ka shkallën më të ulët të vaksinimit në Bashkimin Evropian, por Katsarov tha se vendi ka rënë dakord të blejë rreth 13 deri në 14 milionë doza nën programin e BE-së deri në fund të vitit dhe mund të përballojë dërgimin e ndihmave në vendet e tjera.
“Ideja është që të shpërndahen deri në 150 mijë doza midis fqinjëve tanë nga Ballkani Perëndimor”, tha Katsarov, duke shtuar se Sofja kishte marrë kërkesa nga Maqedonia Veriore, Shqipëria, Bosnja-Hercegovina dhe Kosova.
Ai tha se nevojat e Bullgarisë ishin “plotësisht të mbuluara” dhe se nuk kishte rrezik që bullgarët të mbeten pa vaksina.
Ai shtoi se Sofja synon, në masën më të madhe, të dhurojë vaksinat e kompanisë “Astra Zeneca”, sepse ka pak interes për këtë ilaç.