Bullgaria miraton propozimin e presidencës franceze, i hap rrugë integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Parlamenti bullgar ka miratuar propozimin e presidencës franceze të Këshillit të BE-së për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

Kjo është bërë përmes një projektvendimi të dorëzuar nga bashkëkryetari i “Bullgarisë Demokratike” Hristo Ivanov, në të cilin thuhet se, Bullgaria do të mbështesë çdo hap të procesit të integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut në specifikimin e kornizës negociuese dhe konkluzioneve të Këshillit për të siguruar përfshirjen e bullgarëve në kushtetutën maqedonase “ku përmenden popujt e tjerë dhe në kushte të barabarta me këta popuj”.

Miratimi dhe pranimi nga qeveria e shkarkuar e Kiril Petkov mund të çojë në heqjen e vetos për Shkupin, duke mundësuar që BE të hapë negociatat e anëtarësimit edhe me Shqipërinë. Projektrezolutat konfirmojnë mbështetjen për propozimin francez, por vetëm me këto kushte: të garantohet përfshirja e pakicës bullgare në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, njësoj si pakicat e tjera; të pasqyrohet qartë fakti se asgjë në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE nuk mund të interpretohet si njohje e gjuhës maqedonase nga Republika e Bullgarisë; BE të garantojë që fqinjësia e mirë të mbetet një kriter gjatë procesit të anëtarësimit. Sakaq, situata në parlamentin e Bullgarisë nuk është e qetë, pasi ka grupime deputetësh që shprehen totalisht kundër propozimit francez dhe miratimin e tij e konsiderojnë një tradhti. Por aprovimi I planit të Macron nuk pritet të jetë problem pasi pjesa më e madhe e ligjvënësve e mbështesin atë.

Share This Article