Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë, që me anë të një deklarate zyrtare e konsideroi “shqetësuese” retorikën e tij gjatë Forumit të Bled, më 29-30 gusht të këtij viti.
Bullgaria shprehet se refuzon “me vendosmëri sugjerimet e tij si të papranueshme dhe të pahijshme për sjelljen e një kryeministri të një vendi kandidat për anëtarësim në BE”.
“Në lidhje me deklaratat e reja, të paprovokuara, të njëpasnjëshme antibullgare të kryeministrit shqiptar Edi Rama gjatë Forumit të Bled më 29-30 gusht të këtij viti, bazuar në deklaratën e rreme se Bullgaria bllokoi fillimin e negociatave të Shqipërisë për 8 vjet për anëtarësimin në BE. MPJ i refuzon me vendosmëri sugjerimet e tij si të papranueshme dhe të pahijshme për sjelljen e një kryeministri të një vendi kandidat për anëtarësim në BE. Ministria e Jashtme ka shprehur tashmë qëndrimin e saj në lidhje me retorikën antibullgare të Edi Ramës, e cila është kthyer në një refren të përhershëm të fjalimit të tij politik. Tani ajo është e kombinuar me një fokus anti-evropian dhe një përpjekje për të poshtëruar mekanizmat e procesit evropian. Deklaratat zbulojnë keqkuptime rreth kuptimit politik të procesit të vendosjes së marrëdhënieve në rajon në binarët evropianë. Natyrisht, bëhet fjalë ose për mungesë të aftësive komunikuese evropiane ose për një nxitje të qëllimshme të ndjenjave anti-evropiane. Bullgaria rezervon të drejtën të reagojë në mënyrën e duhur ndaj sjelljes së kryeministrit shqiptar, duke ndjekur parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe evropiane”, lexohet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë.
Përgjigjja e Edi Ramës erdhi në Twitter: “Ndoshta dikush duhet të ndihmojë miqtë tanë në Ministrinë e Jashtme bullgare me përkthimin e përgjigjes sime në Bled, mbi bllokimin e hapjes së negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, kur të gjithë të tjerët pranuan që të hapeshin pas 8 viteve të gjata! Unë thjesht përsërita gjërat që thashë në qershor. Nëse Ministria e Jashtme e Bullgarisë nuk kishte gjë më të mirë për të bërë sot sesa të reagonte me komunikatë mbi diçka që unë thashë në një panel në Forumin Strategjik të Bledit, e marr si kompliment të madh për forumin dhe panelin, duke përfshirë veten”.