Bullgaria ul tonet ndaj Shkupit, presidenti Radev: Jemi pro anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Më pak se dy javë përpara se kryeministri i Bullgarisë të vizitojë Shkupin, presidenti bullgar Rumen Radev ka folur për rrugën që duhet të ndjekë Maqedonia e Veriut në mënyrë që të hiqet vetoja dhe vendi të shkojë drejt integrimit evropian.

Presidenti bullgar, Rumen Radev ka folur me tone të zbutura për Maqedoninë e Veriut, duke deklaruar se Bullgaria mbështet integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Radev: Bullgaria është mbështetësja më e madhe e integrimit evropian të vendeve nga Ballkani Perëndimor dhe posaçërisht integrimin e Maqedonisë së Veriut vëllazërore.

Radev tha se beson se të gjitha premtimet dhe angazhimet e Maqedonisë së Veriut për zbatimin e marrëveshjes bilaterale me Bullgarinë do të përmbushen në mënyrë që të përshpejtohet procesi i integrimit të saj në BE.

Presidenti bullgar gjithashtu deklaroi se priste që të gjitha çështjet të zgjidhen.

Radev: Pres që të gjitha çështjet e hapura të zgjidhen. Garantimi kushtetues për të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut, heqja dorë nga gjuha e urrejtjes, mbarimi i proceseve të debullgarizimit dhe falsifikimit të trashëgimisë sonë mijëvjeçare, do ta përshpejtojnë procesin që të hapim derën për negociata për anëtarësimin në BE të Maqedonisë së Veriut.

Deklaratat e Radev vijnë më disa ditë përpara se kreu i ekzekutivit bullgar, Kiril Petkov të vizitojë Shkupin në 18 janar.

Ky vit për Maqedoninë e Veriut ka nisur i mbarë, e duket se do të jetë periudha që Sofja dhe Shkupi të zgjidhin mosmarrëveshjet dhe Bullgaria të heqë veto për hapjen e negociatave.

Vetoja ndaj Maqedonisë së Veriut ka penalizuar edhe Shqipërinë në rrugën e saj të anëtarësimit, pasi Tirana dhe Shkupi janë të lidhura në këtë proces.

Nëse nuk do të ekzistonte vetoja bullgare, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të kishin mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare vitin e shkuar.

Share This Article