Reagim për deklaratat e Ramës në Shkodër ka pasur edhe nga shtabi i kandidatit të PD-së për deputet në Shkodër, Helidon Bushati.
Në një deklaratë për mediat thuhet se Rama mendon se do të nënshtrojë Shkodrën, por shkodranët me 25 Prill do të rrëzojnë bustin e komunizmit që rizgjoi Edi Rama.
Bushati:
Edi Rama e di që në Shkodër është humbës dhe i humbur. Shkodra, demokratët dhe socialistët e ndershëm, ia kanë dëshmuar se edhe kur garon i vetëm në këtë qytet, humb.
I vetmi bilanc që ka në Shkodër është bilanci i humbjes dhe i inatit. Bilanci i turpit. E ka mënjanuar Shkodrën nga qeverisja. E ka varfëruar si asnjë qytet tjetër. Është munduar ta shkërmoqë dhe këtë e pohoi edhe sot. I ka shpërndarë shkodranët në çdo cep të globit si e si ta fitojë një luftë të hapur që i ka shpallur Shkodrës.
Mendon se me gjuhën e bullizuesit mund të tërheqë vëmëndjen nga skandalet e dështimit. Mendon ta nënshtrojë Shkodrën me varfëri, shpopullim dhe krim, por nuk do t’ia dalë. Mendon se do e çojë deri në fund misionin e etërve të tij shpirtëror për të përdhosur Shkodren, por nuk do t’ia dalë.
Pse nuk ecën lirshëm në rrugët e këtij qyteti? Nësë ka investuar, pse nuk takon qytetarët? Pse sigurohet të boshatisë nga qytetarët çdo vend ku ai shkel?
E ka të kotë! Asnjë nga këto makinacione nuk do e shpëtojnë nga e përballja me qytetarët me 25 Prill. Kontratën me qeverinë e krimit, të mashtrimit dhe të varferisë qytetarët e kanë zgjidhur.
Shqipëria e Edi Ramës, ajo e Pakicës së një grushti njerëzish nuk mund t’i imponohen me presion dhe urrjetje Shqipërisë së Shumicës.
Me 25 Prill, shkodranët kanë edhe një bust tjetër për të rrëzuar. Bustin e komunizmit që rizgjoi Edi Rama!