Byroja Kombëtare e Hetimit ka reaguar pas deklaratës së sotme, 14 dhjetor, të kryeministrit Edi Rama, ku sipas tij, agjentë të BKH kanë hyrë në godinën e Kryeministrisë, duke mos respektuar rregulloren e sigurisë së lartë të Gardës së Republikës dhe janë përpasur me punonjësit e Gardës.
BKH ka hedhur poshtë deklaratën e Ramës, duke sqaruar se hetuesit janë informuar nga Garda e Republikës se sipas rregullave në fuqi, nuk lejohet hyrja me armë zjarri në ambientet e brendshme të institucionit.
Më pas, sipas BKH-së, njëri prej hetuesve ka kërkuar sqarim mbi mënyrën dhe vendin e depozitimit të armëve dhe Garda e Republikës i ka orientuar që armët të liheshin në dollapët e posaçëm të sigurisë, në hyrje të institucionit.
“Pas verifikimit se ambienti i depozitimit ishte i sigurt dhe i monitoruar me kamera, hetuesit kanë depozituar armët dhe kanë vijuar normalisht me kryerjen e veprimeve procedurale”, thotë BKH.
Byroja Kombëtare e Hetimit thekson më tej se në asnjë moment nuk ka pasur debat apo përplasje mes hetuesve të BKH-së dhe Gardës së Republikës.




