Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, në konferencën për media që po mbahet në aeroportin e Prishtinës, ka folur për vizitën e tij në SHBA dhe për takimin me emisarin e Donald Trump, Richard Grenell.
Cakaj ka thënë se nga Washingtoni ka ardhur me tri mesazhe. Sipas tij, s’ka marrëveshje sekrete, s’ka ndarje të Kosovës dhe s’ka marrëveshje të shpejtë në dëm të Kosovës.
Kryediplomati shqiptar ka thënë se nuk ka nevojë që të abuzohet me termin e “marrëveshjes sekrete”, për përfitime të brendshme politike në Kosovë.
“S’ka marrëveshje sekrete, dhe për konsum të brendshëm politik nuk ka nevojë që të abuzohet më një temë të interesit nacional”, ka thënë Cakaj.
Ai tutje ka thënë se ata që i kanë mend në kokë dhe sytë në ballë nuk besojnë që dikush në Shqipëri apo Kosovë bën plane në llogari personale për ta ndarë Kosovën.
“S’ka ndarje të Kosovës. Kush i ka mend në kokë e sytë ne ballë, nuk beson që as në Shqipëri e as në Kosovë, s’bën plane në llogari personale për ta ndarë të Kosovës. Këtë ta keni të qartë”, ka shtuar ai.
Gjithashtu, Cakaj ka thënë se nuk ka plane për një marrëveshje të shpejtë dhe në dëm të Kosovës në shërbim të fushatës elektorale në SHBA.
“S’ka nxitim për një marrëveshje të shpejtë për një marrëveshje në dëm të Kosovës, për çfarëdo interesi të fushatës në Amerikë. Koordinimi me SHBA’në është jetik. Këto janë edhe qëndrimet e emisarit të Trump. Çfarëdo komenti tjetër, janë për shkaktim të keqkuptimeve të brendshme, për përfitime të shkurtra politike në dëm të përfitimeve afatgjate shtetërore”, ka përfunduar Cakaj.