Pedagogu Andi Hoxhaj e konsideron me rëndësi strategjike vizitën e Sekretarit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Cameron këtë të mërkurë në Tiranë.
Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Hoxhaj u shpreh se marrëdhëniet dypalëshe janë përmirësuar.
Hoxhaj shtoi se niveli i emigracionit ilegal është në nivele të ulëta pas nënshkrimit të marrëveshjes mes dy vendeve, teksa nënvizoi se Britania e Madhe e sheh me shqetësim luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.
“Ishte me rëndësi kjo vizitë në Shqipëri. Ishte për të dhënë një mesazh produktiv. Problemi është që ne sot kemi një luftë të hapur në Ukrainë, Britania është e investuar në Ukrainë, është e investuar edhe në rajon. Influenca ruse në Ballkan është rritur. Vizita në Tiranë ishte për të përmirësuar marrëdhëniet me Tiranën. Është edhe mbështetja për gjyqësorin dhe policinë. Ishte shumë pozitive për të dhënë këtë mesazh, Britania e Madhe e respekton influencën që ka komuniteti shqiptar në Britaninë e Madhe. Në 2 vitet e fundit, ka pasur njohje të mirë të influencës dhe impaktit që komuniteti shqiptar ka në Britaninë e Madhe. Marrëdhëniet janë përmirësuar. Pas vizitës së kryeministrit Rama me ftesë të kryeministrit Sunak, marrëdhëniet dypalëshe kanë arritur në një standard tjetër. Sa i përket luftës kundër korrupsionit, Britania e Madhe e ka me shqetësim këtë”, theksoi ai.