Një tragjedi e madhe në botën e futbollit ndodhi në janar të vitit 2019 teksa avioni privat që po transferonte sulmuesin Emiliano Sala nga Franca në Angli u rrëzua me argjentinasin që humbi jetën së bashku me pilotin.
Në atë periudhë, Sala sapo kishte firmosur me Cardiff në Premier League duke lënë Nantes, mirëpo fati kishte rezervuar një tjetër fund për të. Prej atij, momenti dy klubet janë përplasur shpesh në CAS teksa Cardiff ka kërkuar kompensim nga francezët për futbollistin që nuk mbërriti kurrë duke qenë se paguan 15 milionë paund për transferimin e tij.
Por, së fundmi Cardiff është rikthyer të shqetësojë Nantes për Sala me një tjetër pretendim që lidhet me rënien e tyre nga Premier League në vitin 2019. Sipas tyre ky zhgënjim në rezultate kishte të bënte drejtpërdrejt me faktin që në skuadër nuk mbërriti kurrë sulmuesi argjentinas.
Tashmë, Cardiff i gjendur në Championship, kërkon një dëmshpërblim prej 80 milionë paundësh nga Nantes duke qenë se me zbritjen në një kategori inferiore, ata humbën mundësinë për të përfituar ekonomikisht nga të drejtat televizive dhe sponsorët e ndryshëm./supersport