Erion Veliaj po sheh me sytë e tij shkatërrimin e karrierës politike në mënyrën më të keqe të mundshme.
Veliaj gjendet nën akuzë zyrtarisht për: “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”.
I përkëdheluri me tepri, njeriu që projektoi gabimisht veten si pasardhës, njeriu më i pushtetëshëm i rilindjes pas Edi Ramës, mesa duket ka vendosur të mos jetë një kockë e lehtë për këtë të fundit.
Erion Veliaj ka investuar për këtë ditë, në media, tek oligarkët dhe te ndonjë socialist që e ka ndihmuar përkundër dëshirës së Ramës.
Pas daljes së fundit nga SPAK, ditën e djeshme, Erion Veliaj, ndryshe nga herët e tjera foli për kurthe, intriga, denoncues anonimë etj, gjë të cilën e vijoi edhe ditën e sotme përmes avokatëve të tij, ku dukej se sapo ka nisur një kurs të ri me dy fronte sulmi, ndaj Ramës dhe ndaj kolegëve të tij.
Erion Veliaj tha dje se denoncuesi ndaj tij ishte një person anonim dhe se ai e kishte verifikuar këtë nga regjistri i gjendjes civile, një tjetër vepër penale në përpjekje për të shpëtuar nga disa vepra penale, por kjo do të jetë objekt i një tjetër shënimi.
Pas deklaratave të Veliajt, SPAK doli dhe i komunikoi publikisht akuzat, edhe pse ende po e le në detyrën e kryebashkiakut, Erion Veliaj ka nisur sulmin ndaj njeriut që mendon se Edi Rama i ka caktuar për t’i ngrënë kokën, e cila është as më pak e as më shumë, zëvendësja e tij, Belinda Balluku.
Ca me gojën e tij dhe ca me njerëzit e tij në media, Lali Eri i ka shpallur luftë Edi Ramës dhe Belinda Ballukut.
Mero Baze dhe Carlo Bollino janë dy botuesit e parë që janë rreshtuar në krah të Veliajt dhe kanë nisur sulmet, paçka se me frena dore, ku drejtpërdrejt e ku indirekt ndaj Ballukut.
Në një analizë të median e tij, me titull, “Denoncuesi “anonim” i Veliajt dhe opozitarët e marrë me qira kundër tij “, botuesi i Gazetës Tema, Mero Baze le të kuptohet se Belinda Balluku, ish-drejtoreshë e ALBCONTROL ka furnizuar SPAK-un me informacion rreth lëvizjeve të Erion Veliajt për gati 20 vite të jetës së tij.
“Erion Veliaj ka pranuar sot publikisht se “denoncuesi” i tij i fundit është një person anonim, për të cilin prokurori i çështjes Olsi Dado nuk ka marrë mundimin as të pyesë kush është. Pasi ka muaj të tërë që linçohet publikisht lidhur me inceneratorët apo disa ish-drejtorë të tij të akuzuar për korrupsion, të cilët janë në proces gjyqësor, prej sot ai më në fund po merret në pyetje rreth veprimtarisë së gruas së tij në një fondacion kulturor dhe vëllait të tij, që ka degën e një kompanie ndërkombëtare reklamash në Shqipëri, për t’i gjetur ndonjë konflikt interesi.
Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, por pikëpyetjet qëndrojnë.
Në dy çështjet e para, atë të inceneratorëve dhe të drejtorëve të tij të akuzuar për korrupsion, ai nuk është i pandehur. Çështjet kanë shkuar në gjykatë. Këmbëngulja për të gërmuar 20 vite në jetën e tij publike, prej vitit 2004 kur ka qenë drejtues i MJAFT-it e deri më sot, është një përpjekje qartazi e motivuar politikisht.
Fjala vjen, është pyetur me kë ka udhëtuar në të njëjtin avion më 2004, më 2011 apo 2014, çfarë karte krediti ka pasur apo pse nëna e Ajolës ka blerë kostume që nuk janë në masën e trupit të saj, apo pse babai i ndjerë i Ajolës ka blerrë një makinë që e ka shitur përsëri pas disa kohe më shtrenjtë se e ka blerë.
Janë detaje që tregojnë këmbënguljen për ta linçuar, pas të cilës qëndron një vullnet politik që ka gjetur mbështetje dhe tek prokurori i SPAK.”, – shkruan Baze.
Jo paqëllim, ai përmend në artikull-analizën e tij pikërisht vitet kur Belinda Balluku ka qenë drejtoreshë e ALBCONTROL.
Por për të shuar çdo dyshim se artikull-analiza është për Belinda Ballukun, Mero Baze kujdeset që të jetë më i qartë teksa shkruan:
“Linçuesit publikë të Erion Veliajt nuk janë anonimë dhe nuk janë linçues të PS-së në tërësi. Janë opozitarë të marrë me qira kundër Erion Veliajt. Disa shpërblehen me licenca dhe biznese për familjarët e tyre, ose ata direkt, disa me zarfa nën dorë.”.
Menjëherë pas Mero Bazes, i cili ka vënë fytyrën e tij në sulmin ndaj Ballukut, më i kujdesshëm është treguar italiani, Carlo Bollino, i cili edhe pse nuk e ka nënshkruar artikullin me emrin e tij ka treguar emrin e armikut që po i bën gropën mikut të tij Veliaj, e cila është po Belinda Balluku.
Në një artikull të medias së tij, shqiptarja.com, me titull: “Kush i dha ‘anonimit’ informacione konfidenciale të Aviacionit Civil për të sulmuar Erjon Veliajn? SPAK: Po hetojmë për korrupsion dhe fshehje pasurie”, Bollino ka përsëritur thuajse pikë për pikë kolegun e tij Baze.
“SPAK thotë zyrtarisht se ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj nuk ka akuzë, por është marrë në pyetje si person që ka dijeni rreth një çështje në hetim që indicie ka kallëzimin e një personi anonim. Pikërisht ky person ka dorëzuar në SPAK informacione konfidenciale të Aviacionit Civil, siç është një fluturim i Veliajt 20 vite më parë, duke ngritur pikëpyetje se kush është burimi që i ka dhënë një anonimi informacione jo publike nga Aviacioni.”,- shkruan media e Bollinos që në krye të artikullit.
Dhe pasi krijon një narrativë që të çon te Belinda Balluku e mbyll artikullin me një pikëpyetje që duket si rastësore, por që më shumë janë pyetje retorike.
“Kryebashkiaku mësohet se gjatë 5 orëve në SPAK, është pyetur edhe një për fluturim në vitin 2004. Pra, denoncuesi anonim i ka kërkuar SPAK-ut të gjurmojë, pasi sipas tij Veliaj ka qenë me një person tjetër në të njëjtin avion. Pikëpyetja që natyrshëm ngrihet, është se si e ka gjetur ky anonim inekzistent aksesin për të gërmuar në regjistrat e Aviacionit Civil dhe të gjejë një informacion kaq konfidencial se në avion me Veliajn 20 vite më parë ka qenë dhe një person tjetër, biznesmen, kur sistemi TIMS as nuk ka ekzistuar në atë kohë.
Kush është burimi i “kallëzuesit anonim shumë të informuar” që ka gjetur një dokument jo publik nga lista e Aviacionit Civil.”, –
Pyet edhe Carlo, njëjtë si Baze. Sigurisht që të dy e dinë emrin e Belinda Ballukut, por pasi i krijojnë identikitin kuptohet që nuk është e nevojshme më të përmendet, pasi të dy e dinë që pas Belës është një zonë e minuar që ata nuk mund të shkelin dot me gjithë dashamirësinë që kanë për Lali Erin. Ata e dinë se pas Belës qëndron vetë Edi, por hyrja në borxh me Lalin i ka detyruar t’i dalin atij në mbrojtje.