Në bisedat telefonike me ministrat e jashtëm të Kosovës dhe Serbisë, kryediplomati turk Çavudoglu ka thënë se tensionet e reja në rajon nuk janë në dobi të askujt
Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavudoglu zhvilloi telefonata të veçanta me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz, dhe ministrin e Jashtëm të Serbisë, Nikolla Selakoviq, transmeton Anadolu Agency (AA).
Telefonatat erdhën në vazhdën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, pasi qytetarët serbë në veri bllokuan rrugët kryesore në prag të hyrjes në fuqi të masave të reciprocitetit të paralajmëruara nga qeveria kosovare.
Gjatë bisedave telefonike, Çavudoglu u ka thënë bashkëbiseduesve se Turqia gjithmonë i kushton rëndësi paqes dhe stabilitetit të Ballkanit dhe se tensionet e reja në rajon nuk janë në dobi të askujt, duke theksuar nevojën për mbizotërimin e arsyes së shëndoshë.
Kryediplomati turk ka thënë se vendi i tij është i gatshëm të bëjë pjesën e tij për uljen e tensioneve.