Përkundër zemërimit maqedonas, Bullgaria është e kënaqur me rezultatin e censit në Shqipëri, prej të cilit rezultuan në vend 7057 bullgarë. Ambasadori i ketij vendi Ivaylo Kirov tha nga Kukësi se qeveria krijoi kushte harmonike që edhe banorët me origjinë bullgare të shprehnin lirshëm vendimin e tyre.
“Nëse qeveria shqiptare nuk do t’i krijonte këto kushte që banorët me orgjinë bullgare të shprehnin lirshëm verdiktin e tyre, nuk do të kishim këto shifra që kemi sot. Dhe këtu ka banorë nga pakica bullgare dhe theksojmë që këtu pakica bullgare ndjehet si në shtëpinë e tyre. Sinqerisht jemi shumë të surprizuar nga rezultatet. Faleminderit që na krijuat kushte për këtë. Përfaqësuesit e pakicës bullgare janë shtetas shqiptarë dhe do të kontribuojnë për shtetin shqiptar. Bullgaria nuk ka asnjë pretendim. Shqipëria është vendi më miqësor dhe mikëpritës për Bullgarinë dhe Ballkanin”, tha ambasadori.
Lidhur me pretendimet e Partisë Aleanca Maqedonase për manipulim të të dhënave të censit, ambasadori bullgar Kirov tha se qëllimi i censit nuk është ndarja e njerëzve: “Censi ka si qëllim jo të ndajë njerëzit. Kjo është një nga arsyet që shteti shqiptar bën negociata me Bashkimin Europian. Ambasadori Gonzato ishte pjesë e prezantimit të rezultateve të censit. Është shumë e rëndësishme që shteti shqiptar të tregojë numrin e popullsisë, numrin e banesave sepse mbi bazën e këtyre të dhënave do të jetë ndarja e përfaqësueseve shqiptarë në BE dhe të adhurat që mund të thithë Shqipëria nga fondet e Unionit. Rezultatet politike i jep çdokush sipas ineresit politik të tyre”.
Pretendimi i maqedonasve ishte se në momentin e deklarimit, qytetarët kur janë pyetur për kombësinë kanë pasur si opsion jo origjinën etnike si maqedonas apo bullgar, por emrin e shtetit: Maqedonia e Veriut. Por, drejtoresha e INSTAT tha se kjo nuk ka ndikuar në proces.