Kremlini ka njoftuar se presidenti rus Vladimir Putin nuk ka marrë ftesë për të marrë pjesë në betimin e Presidentit të zgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump, ceremonia do të zhvillohet më 20 janar 2025.
Dmitry Peskov tha sot se presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump nuk e ka ftuar presidentin rus Vladimir Putin të marrë pjesë në ceremoninë e tij në Uashington muajin e ardhshëm.
“Jo, ai nuk ka marrë ftesë,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov kur u pyet nëse Trump i kishte bërë ftesë Putinit për të marrë pjesë në ceremoninë e transferimit të pushtetit më 20 janar në Kapitol.
Gjithashtu bëhet e ditur se Trump ka ftuar udhëheqësin kinez Xi Jinping në betimin e tij menjëherë pasi ai u zgjodh në fillim të nëntorit. Por ende nuk është e qartë nëse Xi e ka pranuar ftesën.
Presidenti i zgjedhur i SHBA, Donald Trump është shpallur “Personi i Vitit” i revistës Time për vitin 2024, duke fituar titullin për herë të dytë.
“Për arritjen e një rikthimi të përmasave historike, për nxitjen e një riorganizimi politik një herë në brez, për riformësimin e presidencës amerikane dhe ndryshimin e rolit të Amerikës në botë, Donald Trump është personi i vitit 2024 i TIME-s,” -tha Sam Jacobs në një letër drejtuar lexuesve.
Për herë të parë, Donald Trump u shpall “Personi i vitit në vitin 2016, kur u zgjodh presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa hera e dytë përkon me rikthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë.
Trump u ankua në vitin 2015 kur nuk u zgjodh për kopertinën e revistës gjatë kandidimit të tij të parë për postin, kur çmimi shkoi për ish-kancelaren gjermane Angela Merkel. Por pasi ai u emërua personi i vitit pas fitores së tij në zgjedhje, ai e quajti atë një “nder të madh”. Megjithatë, ai ka vazhduar të kritikojë zgjedhjet e revistës që nga fitorja, duke përfshirë zgjedhjen e Taylor Swift si personin e vitit të Time në 2024.
Tradita e revistës, e cila filloi në 1927 si “Njeriu i Vitit”, njeh një person apo lëvizje që “për mirë apo për keq… ka bërë më së shumti për të ndikuar në ngjarjet e vitit”. Fituesit e tjerë të mëparshëm përfshijnë aktivisten e ndryshimeve klimatike Greta Thunberg, ish-presidentin Barack Obama, CEO i Meta Mark Zuckerberg, Papa Françeskun dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Redaktorët e revistës Time janë ata që vendosin përfundimisht se kush e fiton çmimin.