Kryeministri Albin Kurti, bashkë me presidenten Vjosa Osmani, dhe ish presidenten Atifete Jahjaga, morën pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-sekretares së Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright, në ambientin historik të Katedrales Kombëtare në Washington.
Kurti deklaroi se nga ambasadore e ShBA-ve në OKB te Sekretare Amerikane e Shtetit, nga administrata e Presidentit Jimmy Carter tek ajo e Presidentit Bill Clinton, nga përvoja në fëmijëri si refugjate e persekutimit nazist te vepra e saj e fundit mbase më i rëndësishmi libër anti-fashist në shekullin XXI, Madeleine Albright ka lënë trashëgimi tejet të pasur për politikën, diplomacinë dhe historianët.
Tutje Kurti theksoi se për Kosovën dhe shqiptarët ndërhyrja e NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë dhe emri i saj i përveçëm Madeleine Albright i përkasin të njëjtës fjali.
“Në kuadër të ceremonisë, patëm rast të takoheshim me mysafirë të tjerë dhe miq të çmuar të Kosovës, duke përfshirë sekretarin aktual të Shtetit, z. Antony Blinken, ish presidentin e ShBA-së, z. Bill Clinton, ish zëvëndëspresidentin, z. Albert Gore, ish sekretarët e Shtetit znj. Hillary Rodham Clinton, znj. Condoleezza Rice dhe z. John Kerry, si dhe ish kongresistin z. Eliot Engel. Përveç Presidentit Joseph Biden, ish Presidentit Bill Clinton dhe ish Sekretares së Shtetit Hilary Clinton, fjalim prekës mbajtën edhe tri vajzat e saj: Alice, Anne dhe Katharine”, shkroi Kurti në Facebook.
Ndërkaq, ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, kujtoi udhëtimin e fundit me Albrightin në Kosovë, në 20-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s.
Ai tha se trashëgimia e Albrightit për kontributin në Kosovë, Bosnjë dhe shtete të tjera, vazhdon të nderohet.
“Kaluam një ditë të lumtur së bashku dy vjet më parë në Kosovë, 20 vjet pas konfliktit atje. I çliruam nga rreziku real i gjenocidit. Ecëm dorë për dore në rrugët e Prishtinës, në një ditë me diell të qershorit. Rrugëve kishin dalë çerek milion persona, që është numër i madh njerëzish në një shtet të vogël si Kosova”.
“Dhe arritëm te subjekti i shëtitjes sonë, që ishte një bust i bukur i Madeleine që ishte nderimi i tyre për ndihmën e saj. E shohim nderimin e trashëgimisë së saj për të gjitha gjërat që ka bërë për Kosovën, Bosnjë dhe e shohim në shumë mënyra”, tha Clinton.