Pesë anëtarët e opozitës në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në Kuvendin e Shqipërisë kanë zhvilluar një konferencë për mediat, paraditen e sotme. Lëvizja e tyre vjen një ditë pasi Këshilli u mblodh për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për imunitetin e Belinda Ballukut, deputete, ministre dhe njëkohësisht zv/kryeministre.
Ata dënuan, sipas tyre, “aktin e paprecedentë” të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për të mos caktuar një datë tjetër për mbledhjen e Këshillit.
“Ky është një akt politik i urdhëruar nga Edi Rama për të penguar drejtësinë dhe mbrojtur korrupsionin e tij, zv/kryeministres dhe qeverisë së tij”, tha Gazment Bardhi.
Duke iu drejtuar Peleshit ai kërkoi “thirrjen në fillim të javës së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetit për të dëgjuar kërkesën e prokurorisë, për të dëgjuar argumentet ose mbrojtjen, dhe për të marrë rekomandimin për t’i argumentuar seancës plenare për arrestimin ose heqjen e lirisë së zv/kryeministres Belinda Balluku”.
Bardhi u shpreh se opozita ka kërkuar mbledhjen e Këshillit të Mandateve për të miratuar kërkesën e SPAK-ut. Sipas Bardhit, edhe prokurorët e posaçëm kanë shprehur shqetësimin se “çdo ditë në liri e Belinda Ballukut nënkupton cënim të hetimeve, prishje të provave dhe intimidim të dëshmitarëve”.
“Kërkesa e SPAK përveçse është argumentuar ligjërisht mbështetet nga një numër i konsiderueshëm provash, rreth 80 prova të ndara në disa volume në mijëra faqe që provojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se kërkesa është e mbështetur ligjërisht dhe nuk ka asnjë të dhënë për akuzë politikë”, tha Bardhi.
Ai akuzoi deputetët e mazhorancës se në 6 orë diskutime nuk ishin zëdhënës të interesit publik, por “avokatë të mirëfilltë të Ballukut”.




