Në konferencën e përjavshme me gazetarët, Sali Berisha njoftoi se deputetët demokratë do të riformulojnë edhe një herë kërkesën për hetim parlamentar në lidhje me çështjen ish-zyrtarit të FBI, McGonigal dhe lidhjet e tij me kryeministrin Edi Rama. Sipas Berishës, autoritetet e Akuzës në SHBA kanë kërkuar bashkimin e çështjeve dhe kjo sjell implikime të tjera.
“Dua t’u informoj se përveç komisionit për hetimin e zgjedhjeve parlamentare, ne do riformulojmë dhe dorëzojmë në Parlament, komisionin për hetimin e veprimtarisë së McGonigal në Shqipëri. Siç e keni marrë vesh, ka një zhvillim shumë dramatik në këtë veprimtari.
Prokurori amerikan kërkon shkrirjen e çështjeve, çka do të thotë se dosja shqiptare nuk është më vetëm dosje ryshfeti. Refuzoi të bëjë hapa pas, sa i përket zhvillimeve të brendshme në PD, por hodhi një hap në drejtim deputetëve të grupimit tjetër që kanë dalë kundër rikthimit të Lulzim Bashës.
Jam gati që kem çdo lloj debati, diskutimi dhe mirëkuptimi. Sepse ata me një akt themelor, mbështetën kandidatët e primarëve, de facto mbështetën PD-në. Këtu ata investuan në partinë që i përkasin.
Ndaj tyre, PD është plotësisht e hapur. Jo që nuk bëj një hap pas, por bëj një hap para, unë i ftoj ata që të ulen të diskutojnë, të vendosin për më të mirën për PD-në, për opozitën, për të ardhmen e vendit.”
Sali Berisha me gazetarët
Në lidhje me mundësitë e rikthimit të Bashës në krye të PD, Berisha përsëriti akuzën se ish-kryetari i demokratëve po përdoret nga kryeministri Edi Rama.
“Është një përdorim për së dyti i tij nga Edi Rama dhe si peng që është ai është i pashpresë. Nuk ka mëshirë Edi Rama. Nuk ka gjetur kurajë që të çlirojë shpirtin e tij. Se duhet të shkojë 6 vjet në burg. Aq vite në burg nuk është i gatshëm t’i bëjë. Partia është e anëtarësisë.”
Sali Berisha me gazetarët
Berisha vijoi me denoncimet për zgjedhjet, duke treguar çfarë sipas tij ka ndodhur me votimin në burgje.
“Në burgun 313, ku ndodhen rreth 600 të burgosur, të burgosur nga grupi i Shullazit dhe vetë Shullazi, iu janë bërë format më të egra të presionit. Shullazi dhe grupi i tij, është lejuar në kundërshtim flagrant me rregulloren e burgut, të kalojë nga kati në kat për të ushtruar terror mbi të burgosurit për të votuar për Erion Veliajn.”
Sali Berisha me gazetarët
Pas denoncimeve për atë që quan farse elektorale të 14 majit, Berisha pohoi se opozita do të zhvillojë protesta, pasi të ketë përfunduar analizimi i parregullsive që thotë se janë evidentuar.