Veprimtari, biznesmeni dhe filantropisti shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari ka reaguar sot për çështjen McGonigal.
Një nga zërat shqiptarë më të fuqishëm në botën amerikane, themeluesi dhe ish-botues i gazetës “Illyria”, i nderuar me shumë çmime mes tyre edhe Nderi i Kombit nga Presidenti i Shqipërisë, si dhe Dekorata e Thirrjes Presidenciale për Shërbim nga Shtëpia e Bardhë në SHBA bën apel për hetimin e kryeministrit Edi Rama, emri i të cilit ka dalë në aktakuzën e autoriteteve amerikane ndaj ish-zyrtarit të FBI-së Charles McGonigal.
Bajraktari thekson se nëse Rama nuk hetohet, populli do ta humbë besimin te institucionet ende pa mbaruar mirë reforma e drejtësisë.
Ai shton se është momenti që reforma në drejtësi të funksionojë dhe drejtësia të tregojë se sa është e pavarur.
Momenti që drejtësia në Shqipëri që të tregojë se sa është e pavarur
Nga Harry Bajraktari
Dita e shpalljes së padisë për zyrtarin e lartë të FBI-së, në SHBA ishte një ditë e trishtuar për Shqipërinë dhe demokracinë e saj.
Përzierja e drejtpërdrejtë apo edhe indirekte e kryeministrit Edi Rama, këshilltarëve apo të njohurve të tij në skema pagesash të paligjshme, ka bërë që Shqipëria të përflitet për keq. Emri i saj po lidhet me fjalën “korruptim” përpara opinionit amerikan, në një kohë kur ka nevojë për reklamë të mirë, për investime nga jashtë për përkrahje për çështjen e Kosovës e të tjera.
Shpallja e padisë dhe fillimi i gjyqit kundër ish-eprorit të kundërzbulimit në Zyrën e FBI-së në New York, zotit McGonigal tregon se pavarësisht të gjithave sistemi i drejtësisë në SHBA funksionon. U krye një hetim ndaj një njeriu me shumë lidhje dhe gjykata do të vendosë nëse është fajtor.
I takon tani drejtësisë shqiptare të qartësojë nga pikëpamja e ligjit shqiptar nëse zyrtarët dhe qytetarët e Shqipërisë janë përzierë në korrupsion dhe kanë shkelur ligjin.
Rama ka thënë publikisht që e ka pasur mik McGonigalin. Nga padia del se miku i Ramës ka vendosur nën hetim një lobist të Partisë Demokratike. Gjithashtu miq të përbashkët të tyre kanë paguar deri në 225,000 dollarë zyrtarin e FBI-së.
Këto fakte vijnë erë e keqe. Kjo mund t’i kushtojë politikisht Edi Ramës në raportet e tij me Amerikën.
Mirëpo, vetëm organet e hetuesisë dhe gjykatat shqiptare mund të përcaktojnë nëse është shkelur vërtet ligji shqiptar.
SHBA ka investuar prej vitesh që të reformojë sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Tani është momenti që reforma të tregojë frytet e saj. Synimi ka qenë gjithmonë që njerëzit më të fuqishëm të mos jenë sipër ligjit. Nuk ka provë më të mirë për SPAK-un dhe Byronë e Hetimeve sesa ky rast korrupsioni që prek edhe sigurinë e Amerikës për të dëshmuar pavarësinë si rezultat i reformës.
Kjo nuk është thirrje për ta futur në burg Edi Ramën, por thirrje që organet e drejtësisë të sigurohen që ligji shqiptar nuk është shkelur si u shkel ai amerikan.
Të dy Personat A dhe B, të cituar në paditë e ngritura ndaj zotit McGonigal janë shqiptarë, një prej tyre këshilltar i kryeministrit. Çdo vend me një sistem normal drejtësie do të fillonte një hetim zyrtar formal për t’u siguruar se nga ana shqiptare nuk ka shkelje ligji. Askush nuk duhet të presë që Amerika të vrapojë mbas shkelësve të ligjit tonë. Ajo ka investuar që Shqipëria të jetë vetë e zonja të ndëshkojë korrupsionin dhe krimin në vend. Nëse nuk është ky rasti për të vepruar atëherë kur është?
Opozita shqiptare tani dyshon se edhe shpallja “non-grata” e ish-kryeministrit Sali Berisha është ndikuar nga niveli i korruptimit në nivele të tilla të larta apo se hetimi i lobimit nga Partia Demokratike ka qenë i motivuar politikisht. Si mund të ekzistojë besimi pa hetime që zbulojnë natyrën e plotë të pjesëmarrjes shqiptare në këtë histori?
Për më tepër, kjo nuk është hera e parë që shohim Edi Ramën, në një situatë të tillë. Disa vite më parë, një tjetër “mik” i tij, përsëri nga Neë Jersey, pagoi 80,000 dollarë për bileta çift, për një darkë fondmbledhëse me kandidatin për President Barack Obama. Në vend të gruas mori me vete dhe futi në darkë Edi Ramën, i cili bëri një fotografi me Obamën, të cilën e shiti si provë bashkëpunimi në fushatën e tij të zgjedhjeve në Shqipëri.
Për mënyrën se si u bë, në SHBA ishte shkelje ligji. Ligji amerikan nuk lejon kontributet nga jashtë vendit në fushatat zgjedhore. Dhënia e parave, pjesëmarrja e mbarë procesi është i hapur dhe patrullohet rreptësisht. Shqiptari në fjalë u dënua me burg, ndonëse me kusht, në 2017, kurse një amerikan që i kishte ndihmuar të dy për kontributin e paligjshëm u dënua me katër muaj burgim shtëpie.
Gjykata u tregua në fakt shumë dorëlëshuar. Të gjithë rrezikonin disa vite burg.
Precedenti dëshmon një prirje nga zoti Rama për të shkelur ligjin apo vepruar në skajet e tij. Kryeministri ka thënë se hetimi në SHBA mbaroi dhe kush dyshohej për shkelje ligji është paditur. Por, hetimi në SHBA nuk merret me shkeljet e ligjit shqiptar, as me abuzimin e zyrës. Këto janë prerogativë të drejtësisë shqiptare.
Kam pritur më kot këto ditë për një deklaratë nga organet e drejtësisë në Shqipëri për anën e tyre të punës, për Ramën apo për këshilltarin e tij.
Një koment nga Ambasada Amerikane gjithashtu duhej të kishte dalë në media. Ambasadorja Yuri Kim ka qenë shumë e angazhuar me drejtësinë dhe ka premtuar se askush nuk do të jetë mbi ligjin. Tani është rasti për ta provuar këtë.
Hetojeni Edi Ramën dhe sigurojuni që nuk ka shkelje ligji nga ana e Shqipërisë si po bën edhe SHBA nga ana e saj.
Përndryshe populli do ta humbë besimin te institucionet ende pa mbaruar mirë reforma e drejtësisë.