Turqia ka një marrëdhënie të veçantë me presidentin rus Vladimir Putin, pavarësisht presionit të Perëndimit ndaj Ankarasë për të rritur peshën e saj në forcimin e sanksioneve kundër Moskës.
“Ne nuk jemi në një pikë ku do të vendosim sanksione ndaj Rusisë siç ka bërë Perëndimi. Ne nuk jemi të detyruar nga sanksionet e Perëndimit”, tha presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan në një intervistë për CNN përpara balotazhit të zgjedhjeve presidenciale.
“Rusia dhe Turqia kanë nevojë për njëra-tjetrën në çdo fushë të mundshme”, shtoi ai.
Erdogan dhe rivali i tij kryesor, Kemal Kilicdaroglu, kanë devijuar në një sërë çështjesh të politikës së jashtme, duke përfshirë diplomacinë me Perëndimin dhe Rusinë.
Kilicdaroglu është zotuar të riparojë vitet e diplomacisë së tensionuar me Perëndimin.
Ai ka thënë gjithashtu se nuk do të kërkonte të imitonte marrëdhëniet e drejtuara nga personaliteti i Erdoganit me Putinin, dhe në vend të kësaj të rikalibronte marrëdhëniet e Ankarasë me Moskën që të jenë të drejtuara nga shteti.
Por në ditët para raundit të parë të garës presidenciale më 14 maj, Kilicdaroglu mprehte tonin e tij ndaj Kremlinit, duke e akuzuar atë për ndërhyrje në zgjedhjet e Turqisë dhe duke kërcënuar të prishë marrëdhëniet midis dy vendeve.
Në të kundërt, Erdogan ka forcuar marrëdhëniet e tij me Putinin – dhe ai mendon se Perëndimi duhet të ndjekë të njëjtin shembull.
“Perëndimi nuk po drejtohet nga një qasje e ekuilibruar. Ju keni nevojë për një qasje të balancuar ndaj një vendi si Rusia, që do të kishte qenë një qasje shumë më me fat”, u shpreh ai më tej për CNN.
Turqia, një anëtare e NATO-s që ka ushtrinë e dytë më të madhe të aleancës, ka forcuar lidhjet e saj me Rusinë dhe në vitin 2019 madje ka blerë armë prej saj në kundërshtim me qëndrimet e SHBA-së.
Erdoganit “nuk i lëviz qerpiku” ndaj Perëndimit duke vazhduar të mbajë marrëdhënie të ngushta me Rusinë ndërsa ajo vazhdon luftën në Ukrainë duke u kthyer në një dhimbje koke për planet e zgjerimit të NATO-s duke bllokuar anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë.
Kur ambasadori i SHBA-së në Ankara, Jeff Flake bëri një vizitë në mars te Kilicdaroglu, Erdogan e sulmtoi atë duke e quajtur vizitën e diplomatit amerikan një ‘turp’ dhe duke paralajmëruar se Turqia duhet “t’i japë SHBA-së një leksion në këto zgjedhje”.
Analistët kanë thënë se nëse Erdogan do të rrëzohej në këto zgjedhje, nuk pritet ndonjë kthesë e politikës së jashtme e Turqisë. Ndërsa figura të afërta me opozitën kanë treguar se nëse do të fitonte, ajo do të riorientonte Turqinë përsëri drejt Perëndimit, të tjerë thonë se çështjet thelbësore të politikës së jashtme ka të ngjarë të mbeten të pandryshuara, transmeton CNN.
Megjithatë Turqia ka qenë gjithashtu e dobishme për aleatët e saj perëndimorë nën Erdoganin. Vitin e kaluar, Ankaraja ndihmoi në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje të rëndësishme të eksportit të drithërave midis Ukrainës dhe Rusisë, madje i dha Ukrainës drone që luajtën një rol në kundërshtimin e sulmeve ruse.