Australian Open është një prej eventeve më të mëdha të tenisit botëror, por eventi i vitit 2026 në Melburn është shndërruar në një provë ekstreme për mbijetesën e sportistëve. Mes dëmtimeve dhe tërheqjeve, tenistët janë vënë në vështirësi edhe nga virusi i zorrëve që ka pushtuar turneun.
Simptomat janë përhapur me shpejtësi mes tenistëve. Vetëm dy ditë pas nisjes së turneut të parë të Grand Slam-it për këtë vit, situata shëndetësore e shumë atletëve u paraqit alarmante. Nuk bëhet fjalë për probleme normale, që mund të ndodhin gjatë një aktiviteti.
Kombinimi i rrezikshëm mes vapës përvëluese, lagështisë së lartë, dehidratimit, kalendarit tepër të ngjeshur dhe infeksionit të zorrëve ka prekur dhjetëra sportistë, duke përfshirë edhe emra të njohur të tenisit botëror. Sipas burimeve pranë turneut, shumë lojtarë kanë mbërritur në Melburn me një formë fizike rreth 70%, pas një periudhe pushimi shumë të shkurtër.

Më i fundit ishte italiani Flavio Cobollit. Numri 20 në botë u eliminua, pasi përpara ndeshjes kishte dhimbje të forta stomaku, të vjella dhe këputje, duke bërë që të mos kishte energji në trup. Rasti i tij nuk ishte i izoluar. Gjithashtu të prekur ishin edhe italiani Luciano Darderi dhe francezi Hugo Gaston, me këtë të fundit që u detyrua të largohej nga fusha i përkulur nga dhimbjet gjatë ndeshjes kundër Jannik Sinner.
Tërheqje për shkak të vapës, dehidratimit dhe virozës kishte edhe në eventin e femrave, duke nisur nga Krejcikova, për të vijuar me të lënduarën Pegula, ndërsa Marina Stakusic u detyrua të largohej me karrocë për shkak të vapës ekstreme.

