Kosova
Çfarë po ndodh në Partinë Demokratike të Kosovës?
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), aktualisht forca e dytë më e madhe parlamentare në vend, po shkon drejt zgjedhjes së udhëheqësit të ri, në përpjekje për ta sjellë në krye dikë që mund ta sfidojë kryeministrin në detyrë Albin Kurtin, partia e së cilit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka qenë në pushtet nga viti 2021 dhe ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Kryetari i deritanishëm, Memli Krasniqi, dha dorëheqje papritmas të mërkurën dhe e thirri Konventën e partisë për të hënën e 17 nëntorit, duke thënë se ka ardhur koha për një momentum dhe mundësi të re për “familjen tonë demokratike”.
Një ditë më vonë, Bedri Hamza, kandidati i saj për kryeministër në zgjedhjet e këtij viti, njoftoi se do të garojë për kryetar, duke premtuar reforma, për ta rikthyer PDK-në “ si partinë kryesore në vend”.
Derisa po dukej se gjithçka po shkonte sipas planit, deputeti dhe dikur ushtruesi i detyrës së kryetarit, Enver Hoxhaj, doli me kundërshtime.
Ai bëri thirrje që Konventa të shtyhet për 23 nëntor, duke thënë se nevojitet më shumë kohë për një garë më cilësore, dhe se një parti demokratike duhet të ketë në garë më shumë sesa thjesht një kandidat të vetëm.
“PDK-ja ka nevojë për drejtim të ri, jo për skema të vjetra, ka nevojë për vizion të ri, jo për ndërrim rolesh. Ky është momenti për t’ia hapur rrugën ndryshimit të vërtetë”, shkroi Hoxhaj në Facebook.
PDK-ja nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë (REL) nëse Hamza do të ketë kundërshtarë në garën për udhëheqës të partisë.
REL-i e ka kontaktuar edhe Hoxhajn, mirëpo ai nuk ka treguar nëse do të jetë pjesë e garës.
Artan Muhaxhiri, sociolog dhe analist politik, thotë për REL-in se, ndonëse dorëheqja e Krasniqit ishte e befasishme, “ishte akt i duhur”.
Ai beson se zgjedhjet për kryetar mund të shndërrohen në një “përshpejtues të ndryshimeve në PDK, nëse edhe kushtet e tjera të domosdoshme plotësohen”.
Sipas tij, për PDK-në do të jetë e rëndësishme se si zhvillohet gara, pasi nëse procesi do të jetë vetëm formalitet, atëherë mund të ketë pasoja.
“PDK-ja ka nevojë të domosdoshme për një rigjallërim të udhëheqjes, të strukturave për kërkim të resurseve profesionale brenda partisë, si dhe për ndryshimin e imazhit dhe të ndikimit në publik, sepse me zgjedhjet që na presin nuk mund të vazhdojë me këtë inerci”, thekson Muhaxhiri.
Kandidatura eventuale e Hoxhajt
Enver Hoxhaj nuk kishte garuar as në Konventën e vitit 2021 kur u zgjodh Memli Krasniqi për herë të parë kryetar, pavarësisht se për më shumë se 200 ditë e kishte udhëhequr partinë si ushtrues i detyrës.
Këtë vit, ai ka qenë i zëshëm në qëndrimet e tij që dallonin me ato të vetë partisë, pasi në verë ai kishte thënë se do ta mbështeste një koalicion me LVV-në e Kurtit, dhe kishte nënvizuar se mund të kishte rol kur kishte folur për zgjedhjet e mundshme brenda partisë.
Nëse Hoxhaj vendos të garojë, sipas Muhaxhirit, ai duhet ta ketë një ekip pas vetes dhe një platformë me “ide të freskëta dhe kreative”, me të cilat do të mund t’i bindte edhe anëtarët e PDK-së që mund ta sfidojë Kurtin.
Muhaxhiri beson se Hoxhaj është pjesë e rëndësishme e PDK-së, pavarësisht se ai nuk e ka më ndikimin që kishte në parti kur ajo udhëhiqej nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, që tani po gjykohen në Hagë për krime lufte, të cilat i mohojnë.
“Gjithsesi, ai është pjesë shumë e rëndësishme e PDK-së dhe nëse ka platformë dhe ekip, mund ta sfidojë Hamzën, por duket se kjo garë tashmë është e përfunduar dhe Hoxhaj është duke u përpjekur ta krijojë një imazh të një rebeli përbrenda PDK-së që nuk pajtohet me të gjitha vendimet”.
A mund të sjellë ndryshime Hamza?
Muhaxhiri vlerëson se PDK-ja u tregua e “sinqertë” duke i shpallur zgjedhjet për kryetar për t’u ballafaquar me gjendjen e tanishme, dhe për të kërkuar mundësi për t’u kthyer në pushtet.
“Sepse më nuk ka kuptim që PDK-ja të jetë në këtë gjendje ku është shumë larg Lëvizjes Vetëvendosje dhe pa ndonjë ide të qartë se si ta sfidojë pushtetin e madh të Kurtit”, shprehet Muhaxhiri.
Nën udhëheqjen e Krasniqit – nga viti 2021 – PDK-ja doli e dyta në zgjedhje parlamentare në shkurt, duke ngelur goxha mbrapa LVV-së.
Ajo i fitoi gjashtë komuna në zgjedhjet lokale, duke pësuar një rënie të vogël në nivel lokal, në krahasim me zgjedhjet paraprake.
Muhaxhiri nënvizon se PDK-ja nuk ka pasur strategji, plan apo ide sesi ta sfidojë Kurtin dhe LVV-në në këto pjesë vjetët e fundit.
“Siç u pa në zgjedhjet lokale tani, Kurti vetëm sa e zgjeroi pushtetin me komuna të reja. Ky është rrezik i madh për PDK-në, sepse, nëse zoti Kurti i fiton sërish zgjedhjet parlamentare me rreth 40 për qind, kjo do të jetë shenjë se absolutisht nuk kanë mundur t’ia zvogëlojnë pushtetin as për një milimetër, dhe kjo është e pafalshme nëse zgjat gjashtë a shtatë vjet”, sipas Muhaxhirit.
Kosova mund të shkojë në zgjedhje parlamentare hiç më larg se në dhjetor, duke qenë se asnjëra parti nuk e ka shumicën e nevojshme, e as vullnetin për bashkëqeverisje, pas zgjedhjeve të shkurtit.
Dhe, nëse Hamza zgjidhet kryetar i PDK-së, gjë që duket e pashmangshme, duke e parë se ai e mori edhe mbështetjen publike të Krasniqit në ditën e dorëheqjes së tij, atëherë ai e ka vetëm një detyrë, sipas Muhaxhirit.
“Të kërkojë me zell brenda strukturave të PDK-së në gjithë Kosovën njerëz të ri, personalitete të reja, profesionistë të rinj dhe t’i sjellë në fokus si përfaqësues të një gjenerate të re të PDK-së, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të krijohet një lloj shpresë se PDK-ja mund të reformohet dhe ta rrisë pushtetin e saj”.
PDK-ja, e formuar në fund të vitit 1999, ka bashkëqeverisur në vitet 2001-2004, ndërsa në vitin 2007, ajo për herë të parë doli partia më e votuar në Kosovë.
Ajo qeverisi për shtatë vjet me Hashim Thaçi si kryeministër të Kosovës.
Për 17 vjet me radhë, PDK-në e drejtoi Thaçi, i cili shërbeu edhe si president edhe si kryeministër i vendit në disa faza.
Më 2016, kur Thaçi u bë president, partinë e udhëhoqi Kadri Veseli deri kur u nis në Hagë, më 2020./ REL
Kosova
Kosova ngre aktakuzë ndaj 21 personave për masakrën e Reçakut
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave për masakrën në Reçak, kur u vranë 45 civilë më 15 janar 1999.
Ndaj O.S.,R. M., K.J., G.R., ZH.T., B.J., M.L., R.M., D.GJ., B.M., D.J., M.SH., D.A., S.V. , B.M., Z.S., M.J., G.P., D.N., Ç.A., u ngrit aktakuzë për veprën penale “krim i luftës kundër popullatës civile”.
Ata akuzohen se gjatë një operacioni të forcave policore serbe, vranë 42 civilë në Reçak të Shtimes.
Prokuroria ka propozuar që gjykimi ndaj tyre të zhvillohet në mungesë, meqë ata janë “të paarritshëm për organet e drejtësisë” të Kosovës.
Sipas aktakuzës, në periudhën 1998-1999, të akuzuarit, si pjesëtarë të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës “243 të Mekanizuar”, Armatës së III- të, e njohur si “Korpusi i Prishtinës”, si dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, “kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile”.
Prokuroria tha se të pandehurit e kishin rrethuar fshatin Reçak nga vendet e quajtura “Pishat”, “Gështenjat” dhe “Çesta”.
Më pas, sipas aktakuzës, ata e kishin granatuar fshatin, kishin kryer kontrolle shtëpi më shtëpi, dhe kishin ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, duke i detyruar që të largoheshin nga fshati, “ndërsa burrat e ndaluar i ekzekutuan”.
“Hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit kanë ushtruar dhunë fizike ndaj civilëve, duke i rrahur me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta”, u tha në njoftimin e Prokurorisë.
Atëbotë, si pasojë e këtij operacioni të forcave serbe, afër 20 mijë civilë të fshatrave Reçak, Topill, Petrovë, Kraisht, Mullapolc, Dremjak ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre, tha Prokuroria.
Gjykimi në mungesë, që Prokuroria Speciale ka kërkuar për këtë rast, mundësohet në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, të bëra më 2022.
Megjithatë, gjykime të tilla mund të bëhen vetëm me kushtin që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për të siguruar praninë e të akuzuarit.
Por, ky Kod përcakton se personat që gjykohen në mungesë kanë të drejtë për një rigjykim pa kushte, kur të arrestohen.
Dokumentimin e krimeve të kryera në Reçak e kishte bërë William Walker, i cili më 1999 kishte shërbyer si shef i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999, NATO-ja i sulmoi caqet ushtarake policore në ish-Jugosllavi.
Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndëprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, kishte mundësuar edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800.000 refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.
Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.
Afër 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.
Në vitet e fundit, Kosova e ka rritur numrin e aktakuzave në mungesë për krime lufte gjatë luftës së fundit.
Më herët gjatë vitit, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës.
Kosova
Gjenden të vdekur dy persona në një vilë në Pejë
Dy persona, një burrë dhe një grua, janë gjetur pa shenja jete në një vilë në Pejë, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga Policia dhe Prokuroria në këtë komunë.
Policia është njoftuar për rastin rreth orës 15:10, tha zëdhënësi i këtij institucioni në Pejë, Fadil Gashi.
“Rreth orës 15:10 policia është informuar se në rrugën e KFOR-it se dyshohet se dy persona në një vilë janë pa shenja jete. Policia dhe ekipi i emergjencës ka dal në vendin e ngjarjes, ku vdekja e dy personave është konstatuar nga mjeku kujdestar. Viktimat janë njëri i gjinisë mashkullore dhe tjetra e gjinisë femërore”, u shpreh ai.
Ndërkaq, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, tha se në vendngjarje ka dalë prokurorja për krime të rënda dhe kryeprokurori, ndërkaq trupat e pajetë do të tërhiqen nga vendi i ngjarjes për t’iu nënshtruar autopsisë, me qëllim që të përcaktohen shkaqet e vdekjes.
“Lidhur me këtë çështje janë siguruar prova në vendin e ngjarjes të cilat do të shërbejnë për veprimet e mëtejme. Janë identifikuar dëshmitarët, të cilët mund të intervistohen për të kuptuar më shumë informata rreth ngjarjes”, u shpreh ai.
Mediat lokale në Kosovë kanë raportuar se viktimat ishin në të 20-tat. Megjithatë, autoritetet ende nuk kanë ndarë me publikun detaje të tjera për këtë ngjarje.
Kosova
Tragjedi në Prizren, humb jetën një fëmijë njëvjeçar si pasojë e zjarrit
Një zjarr i madh ka shpërthyer sot në një shtëpi banimi pranë Shtëpisë së Kulturës në Prizren, ku si pasojë ka humbur jetën një fëmijë njëvjeçar.
Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, tre fëmijë të tjerë janë shpëtuar dhe aktualisht po marrin trajtim mjekësor.
“Sot, më 30 dhjetor 2025, rreth orës 10:00, është raportuar një zjarr në një shtëpi banimi në qendër të Prizrenit. Një fëmijë rreth 1 vjeç ka humbur jetën, dyshohet si pasojë e thithjes së tymit. Tre fëmijë të tjerë janë shpëtuar dhe po marrin trajtim në Emergjencë,” tha Bytyqi për Telegrafin.
Ai bëri të ditur se njësitë emergjente kanë reaguar menjëherë dhe zjarri është lokalizuar pothuajse plotësisht. Ekipet përkatëse vazhdojnë të jenë në vendin e ngjarjes.
Bytyqi theksoi se shkaqet e zjarrit janë duke u hetuar nga organet kompetente dhe do të vërtetohen pas përfundimit të procedurave hetimore.
-
UK2 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania2 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania4 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK4 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports2 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
Albania2 days agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Albania15 hours agoIronia e një dosje sekrete në Harvard: Amerikanë mbroni Trashëgiminë Ilire, Shqiptarët pas ’90-s e shkatërruan …
-
UK14 hours agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
