Ish-ambasadori i Kosovës në ShBA, njëherësh edhe bashkëpunëtor i ish-presidentit Ibrahim Rugova, Avni Spahiu, në emisionin “FAKTE me Adnan Merovcin”, tha se në shumë nga bisedat me ish-presidentin ishte trajtuar fryma demokratike dhe ajo se çfarë përfaqësonin Shtetet e Bashkuara të Amerikës në botë.
“Flisnim për SHBA-në si një vend prej të cilit mund të vinte shpëtimi për shqiptarët, ashtu edhe siç erdhi. Për fat të mirë e gjithë Administrata amerikane, Kongresi, Senati na dëgjuan me vëmendje dhe na dhanë premtimet se do të na ndihmonin kauzën e popullit shqiptar”.
Përveç bisedave të tyre, Spahiu tregoi edhe disa detaje nga një takimi ku ishte edhe Këshilltari i Sigurisë në Administratën e ish-presidentit Bill Clinton, Anthony Lake, ku gjatë këtij takimi Lake ia kishte përcjellë Rugovës fjalët e ish-presidentit Clinton.
“Na tha se i përcjell të falat e presidentit Clinton, iu drejtua Rugovës me këto fjalë, dhe më porositi që t’ju them se “ju jeni e vetmja dritë në tunelin ballkanik’. Kjo ishte në vlerësim shumë i madh në atë kohë kur në Ballkan po ndodhnin tmerre.”, tregoi Spahiu.
Spahiu thotë se Rugova në atë kohë të vështira po lozte një rol të rezistencës që u bënte përshtypje të huajve.