Manchester City ka marrë vetëm një pikë në shtëpi ndaj Liverpoolit, dhe të gjithë sytë i kanë nga De Bruyne, që humbi penalltinë që mund t’ia kishte siguruar fitoren skuadrës së Pep Guardiolës.
Manchester City dhe Liverpooli i kanë ndarë pikët në stadiumin Etihad, sfidë që përfundoi 1-1, e vlefshme për xhiron e tetë në Premierligë.
Ky barazim e konfirmon formën shumë të luhatshme të ekipit të Pep Guardiolës që pas tetë ndeshjes, renditet në pozitën e 11 me 12 pikë, derisa Liverpooli në atë të tretë me 17 pikë, aq sa ka edhe Tottenhami i Jose Mourinhos në vendin e dytë. Derisa lider i Premierligës është Leicester City me 18 pikë.
Të parët në epërsi kaluan mysafirët. Mohamed Salah e ka konkretizuar në gol një penallti për t’i kaluar në avantazh të besuarit e Jurgen Klopp. Salah shënoi për 0-1 në minutën e 13-të.
Por, City e barazoi disa minuta më vonë rezultatin. Në minutën e 31-të, Gabriel Jesus e konkretizoi në gol një aksion të bukur të vendasve, ashtu siç do vërtet Pep Guardiola, me lojë tiki-taka.
Para se skuadrat të shkojnë në pushim të pjesës së parë, Kevin De Bruyne e pati mundësinë ta dërgojë rezultatin në 2-1, por gaboi nga penalltia.
Në pjesën e dytë, si City ashtu edhe Liverpooli tentuan me të gjitha forcat, por s’pati më gola.
Xherdan Shaqiri luajti për pothuajse 30 minuta, por nuk arriti kësaj radhe të ndihmojë ‘Redsat’.