Manchester City arriti një fitore mjaft të rëndësishme 2-1 në transfertë ndaj Nottingham Forest në “City Ground”, falë një paraqitjeje vendimtare nga Rayan Cherki, i cili shënoi një gol dhe dha një asist. Suksesi i radhës zgjati serinë mbresëlënëse të Pep Guardiolës pa humbje ndaj Sean Dyche në Premier League në 17 ndeshje (15 fitore, 2 barazime), ndërsa i dha City-t kryesimin e përkohshëm të renditjes.
Sfida nisi me emocione të forta, teksa Forest nderoi legjendën e klubit John Robertson, i ndarë së fundmi nga jeta, me një minutë duartrokitjesh dhe shiritat e zinj në krah. Vendasit kërcënuan herët, por mungesa e saktësisë dhe një pjesë e parë e kujdesshme nga të dyja skuadrat bëri që të mos kishte goditje në portë deri në pushim.
Gjithçka ndryshoi menjëherë pas rifillimit, kur Tijjani Reijnders zhbllokoi rezultatin pas një pasimi të zgjuar nga Cherki, duke finalizuar saktë përballë portierit John Victor. City shtoi presionin, por Forest reagoi me karakter dhe barazoi falë një aksioni të ndërtuar me durim, që u mbyll me golin e Omari Hutchinson, i pari i tij me fanellën e “Tricky Trees”.
Kur dukej se vendasit do t’i rezistonin kampionëve, Cherki mori sërish skenën. Pas një goditjeje këndi, 22-vjeçari goditi ulët dhe saktë, duke vulosur fitoren e tetë radhazi në të gjitha kompeticionet për City-n.



