Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Rregullorja e Kuvendit e rregullojnë procedurën në rastin me dorëheqjen e kryetarit të Qeverisë.
Në nenin 93 të Kushtetutës është theksuar se “Dorëheqja e kryetarit të Qeverisë, vdekja e tij ose pengesa e përhershme që ta kryejë funksionin, tërheqin dorëheqje të Qeverisë. Qeverisë i ndërpritet mandati kur Kuvendi shpërbëhet. Qeveria të cilës i është votuar mosbesimi, e cila ka dhënë dorëheqje ose së cilës i është ndërprerë mandati për shkak të shpërbërjes së Kuvendit, mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re”.
Në nenin 219 të Rregullores së Kuvendit, qëndron se “Qeveria, kryetari i Qeverisë ose anëtar i Qeverisë mund të japin dorëheqje. Dorëheqja e Qeverisë ose e kryetarit të Qeverisë, parashtrohet te kryetari i Kuvendit në formë të shkruar dhe mund të shpjegohet… Dorëheqjen e Qeverisë ose kryetarit të Qeverisë, kryetari i Kuvendit menjëherë e dorëzon te deputetët dhe te presidenti i Republikës”.
Në nenin 220 më tutje thuhet se “Kuvendi në mbledhjen e parë të ardhshme, pa debatuar, konstaton se kryetarit të Qeverisë, Qeverisë dhe anëtarit të Qeverisë, mandati iu ndërpritet në ditën e mbajtjes së mbledhjes”.
Kryeministri Zoran Zaev dhe kryetar i LSDM-së në pushtet mbrëmë pas humbjes të cilën e pësoi partia në zgjedhjet lokale në konferencën përfundimtare për media pas mbylljes së vendvotimeve deklaroi se jep dorëheqje nga të dyja funksionet.
“E marr përgjegjësinë për rezultatet e këqija nga këto zgjedhje”, theksoi Zaevi, duke i uruar kundërshtarët politikë për fitoren në zgjedhje.
Zaevi në konferencë për media në selinë e partisë nuk paralajmëroi se çka më tutje, kush do ta ndërmerr timonin në parti, e as kush do ta merrte pozitën e kreut të Qeverisë.
Ai është kryetar i LSDM-së që nga viti 2013. Partia ka edhe zëvendëskryetar, Sanja Llukarvska dhe katër nënkryetarë Milla Carovska, Venko Filipçe, Fatmir Bytyqi dhe Oliver Spasovski.
Në funksionin e kryeministrit është nga 31 maji i vitit 2017, ndërsa mandatin e dytë të kryeministrit e fitoi në zgjedhjet e 15 korrikut të vitit të kaluar.
Zaevi mbrëmë, megjithatë, theksoi se mbetet në qëndrimin se nuk duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, sepse, siç tha, i kanë edhe dy vite e gjysmë të shkëlqyera dhe të papërsëritshme për shtetin prej të cilave do të ketë përfitim i gjithë populli dhe shteti.
“Do të mbetem këtë periudhë derisa duhet, që të ndihmoj, të riogarnizohet qeveria e re me shumicë progresive të cilën e ka dhe ekziston, ndërsa mund të rritet edhe më shumë”, tha Zaevi.